Nga Jeruzalemi në Rusi

Nga Jeruzalemi në Rusi

Mijëra besimtarë të krishterë u mblodhën në Jeruzalem për ceremoninë e përvitshme të zjarrit të shenjtë, të zhvilluar në vigjiljen e Pashkëve Ortodokse.

Me qirinj në duar, disa prej tyre mbushën kishën e “Varrit të Shenjtë”, të ndërtuar mbi vendin ku sipas traditës kristiane, krishti u vendos të prehej dhe u ringjall. Rituali, që përbën praktikisht ngjarjen më të shenjtë për të krishterët ortodoksë, daton përpara 1 mijë e 200 vjetësh.

Burimi i flakës mbahet sekret dhe mbrohet me fanatizëm të madh. Besohet se një rreze nis të shkëlqejë përmes dritares në tavanin e kishës dhe ndez llampën e vendosur mbi varr.

Njerëzit që nuk hyjnë dot brenda, presin jashtë për të marrë flakën e për t’ia kaluar njëri-tjetrit, gjest ky që simbolizon mbërritjen e një mesazhi nga parajsa për përjetësi, paqe dhe rilindje. Flaka dërgohet pas kësaj me shpejtësi në Betlehem, ku presin me qindra pelegrinë, e shpërndahet me aeroplan në pjesë të tjera të botës.

Delegacioni i kishës ortodokse bullgare ia kaloi këtë radhë zjarrin e shenjtë një grupi përfaqësuesish të kishës ortodokse të Maqedonisë, e cila deri tani e merrte flakën nga një manastir grek. Gjesti i sivjetshëm kërkon të tregojë se ajo dëshiron të pranojë rolin e kishës mëmë./21Media