Kujtohet miku i Kosovës

Kujtohet miku i Kosovës

Vdekja e ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac, ka prekur shumë krerët e Kosovës.

Me këtë rast ata kanë ngushëlluar popullin francez dhe kanë shprehur mirënjohje për përkrahjen e Chirac për Kosovën.

Presidenti Hashim Thaçi, tha se Chirac ishte njëri prej figurave të mëdha të politikës botërore, që i doli në ndihmë Kosovës në ditët më të vështira.

Me keqardhje të madhe mora lajmin për vdekjen e ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac. Ai ishte njëri prej figurave të mëdha të politikës botërore që i doli në ndihmë Kosovës në ditët më të vështira, sidomos në Konferencën e Rambouillet dhe përkrahjen për bombardimin e caqeve të policisë dhe ushtrisë serbe në vitin 1999. Jacques Chirac do të mbetet një burrështetas i respektuar dhe emër për të cilin qytetarët e Kosovës do të jenë përjetësisht mirënjohës”, shkroi Thaçi në Facebook.

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj, tha se Kosova do të kujtojë gjithmonë ish-presidentin francez si një përkrahës të fuqishëm të vlerave të lirisë dhe jetës.

Me keqardhje mësova lajmin për vdekjen e ish-presidentit francez, Jacques Chirac. Kosova do të kujtojë gjithmonë ish presidentin Chirac si një përkrahës të fuqishëm të vlerave të lirisë dhe jetës, dhe në këtë frymë edhe vendimin për mbështetjen e fuqishme të Republikës së Francës për të ndalur gjenocidin dhe ekzodin e popullit të Kosovës në vitin 1999, për intervenimin e NATO-s kundër agresorit serb udhëhequr nga Millosheviqi. Në emër të popullit të Kosovës, i shpreh ngushëllime popullit të Francës dhe familjes së ish-presidentit Chirac”, shkroi Haradinaj poashtu në Facebook.

Ndërsa kreu i LDK-së, Isa Mustafa, nëpërmjet një komunikate tha se Chirac ishte mik i madh i Kosovës dhe popullit të saj.

Vdekja e ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac, është humbje e madhe, jo vetëm për Francën, por për të gjithë njerëzimin. Presidenti Chirac ishte mik i madh i Kosovës dhe popullit të saj. Ne i jemi mirënjohës Presidentit Chirac për përkrahjen e madhe që i ka dhënë Kosovës dhe besojmë se partneriteti mes Kosovës dhe Francës, i forcuar gjatë udhëheqjes së tij, do të vazhdojë të thellohet mes dy vendeve e popujve tanë. Në këto momente, ndajmë dhimbjen me familjen Chirak, shtetin e Francës dhe popullin mik francez”, tha Mustafa./21Media