Ngritet lartë figura e aktorit shqiptar

Ngritet lartë figura e aktorit shqiptar

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka ngushëlluar familjen Ferri për vdekjen e aktorit të njohur Xhevdet Ferri.

Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shqiptar thotë se kjo është një humbje e parakohshme për të gjithë artdashësit.

Meta tha se Xhevdet Ferri na la pas një trashëgimi të vyer në kinematografi.
Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur dhe një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë më të dashur për ne, Xhevdet Ferri.
Si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e Tij të shumtë, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë. Mjeshtri i Madh i filmit, por edhe i teatrit, Xhevdet Ferri do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, për të cilat meritoi të gjithë respektin, vlerësimet dhe simpatinë, nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në kinematografi.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve. Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar“, shkroi Meta.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, shkroi: “Lamtumirë Xhodë. S’kam fjalë“.

Kreu i PD, Lulzim Basha tha se Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur në radhët e saj si deputet për një legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, artistin Xhevdet Ferri.

“Humbja e tij, për çdo anëtar të PD dhe për çdo dashamirës të artit shqiptar, është e pazëvendësueshme”, shkruan Basha.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se Xhevdet Ferri nuk e kishte mbyllur ende misionin e tij.

Ferri vdiq sot në moshën 59-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë/21Media