Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuuesit e lirisë dhe pavarësisë të Republikës së Kosovës

Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuuesit e lirisë dhe pavarësisë të Republikës së Kosovës

Krerët e institucioneve të shtetit të Kosovës, janë mbledhur në një darkë solemne me mysafirët nga Amerika, ish-presidentin amerikan, Bill Clinton dhe ish-Sekretaren e shtetit, Madeleine Albright.

Në këtë darkë të pranishëm janë: presidenti, Hashim Thaçi, ish-presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me bashkëshorten, ministri i punëve të jashtme, Behgjet Pacolli, ministrja e integrimeve evropiane, Dhurata Hoxha, ambasadori gjerman, Christian Heldt.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e integrimeve evropiane, Dhurata Hoxha përmes disa imazheve të publikuara në rrjetin social, Facebook.

Hoxha ka thënë që në këtë darkë kanë ngritur gotat për aleatët e NATO-s dhe vendeve mike që ndihmuan të ndërpritet gjenocidi serb ndaj qytetarëve të Kosovës, për të fituar lirinë. “Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuuesit e lirisë dhe pavarësisë të Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Hoxha në Facebook.

Clinton dhe Albright kanë arritur sot në Prishtinë, ku janë pritur me nderime të larta shtetërore. Gjatë ditës ish-presidenti Clinton ka zhvilluar takime të ndara me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sot është shënuar 20 vjetori hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe çlirimi i vendit nga forcat pushtuese serbe. Në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit në Kosovë po qëndrojnë, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madeleine Albright. /21Media