"Si simbol i ringjalljes dhe i ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen"

“Si simbol i ringjalljes dhe i ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli kanë uruar Pashkët.

I pari i vendit ka uruar të forcohen edhe më tej ndjenjat e mirësisë dhe besimin në vlera tona, si dhe të shtohet dashuria dhe respekti i ndërsjellë ndërmjet gjithë qytetarëve.

Thaçi ka shkruar në Facebook se në këtë të diel të Pashkëve katolike, të gjithë besimtarëve të krishterë ua uron këtë festë të shenjtë.

“Si simbol i ringjalljes dhe i ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen, uroj me gjithë zemër që Pashkët të forcojnë edhe më tej ndjenjat e mirësisë dhe besimin në vlera tona, si dhe të shtojnë dashurinë dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Kreu i Qeverisë, duke uruar Festën e Pashkëve, ka thënë se Pashkët për mijëra vjet i kanë bashkuar shqiptarët në vendin e vet rreth vlerave të tyre unike.

Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se kjo ditë, na rrëfen mrekullinë e ringjalljes, të ngadhnjimit të jetës mbi vdekjen, na kujton se në thelb, sakrifica për të mirën dhe të drejtën është virtyti më i lartë jetësor.

“Uroj që në këtë ditë të bekuar për besimtarët katolikë, ta ngrisim ndjenjën e respektit për të tjerët dhe t’ua shtrijmë dorën atyre që kanë nevojë. Ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergjit, të gjithë shqiptarëve të besimit katolik, si dhe miqve ndërkombëtarë, gëzuar dhe për shumë mot Festën e shenjtë të Pashkëve”, ka shkruar ai.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve, duke thënë se kjo festë është edhe një moment reflektimi, jo vetëm për besimtarët e krishterë, por për të gjithë shqiptarët pa dallim feje.

Pacolli ka shkruar në Facebook se kjo festë është edhe një moment reflektimi, me qëllim afrimin dhe përkushtimin më të madh si ndaj njëri-tjetrit, ashtu dhe ndaj kombit që i takojmë, për të mirën e brezave që vijnë.

Pashkët është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq./21Media