Spasovski përforcon kontrollin në kufirin jugor

Spasovski përforcon kontrollin në kufirin jugor

Shërbimet policore nga rajoni, përmes bashkëpunimit do ta përforcojnë luftën kundër krimit të organizuar, porositi ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Asociacionit të shefave të shërbimeve policore nga Evropa Juglindore, Spasovski tha se përmes bashkëpunimit të përbashkët operativ dhe shkëmbimit të informacioneve, do të  përmirësohen edhe rezultatet e luftës kundër krimit ndërkufitar dhe terrorizmit, shkruan tv21.tv

“Krimi ndërkufitar dhe krimi i organizuar është baza për gjithçka, sepse mbi krimin e financimit joligjor bazohen edhe të gjitha llojet e tjera të krimit, kurse para së gjithash terrorizmi dhe ekstremizmi, i cili me të vërtetë paraqet problem i madh, në të cilin edhe Republika e Maqedonisë u bashkëngjit për ta përballuar, me realizimin e strategjive të saja për luftën kundër terrorizmit”, tha Spasovski.

Nga ana tjetër, Raporti i ri i Komisionit Evropian, nënvizon se Maqedonia deri në një nivel të caktuar është e përgatitur për të luftuar kundër krimit të organizuar, por se duhet punuar më shumë për ballafaqimin me larjen e parave dhe krimin financiar.

“Koordinimi mes të gjithë aktorëve relevantë është thelbësor. Duhet të përmirësohet evidentimi për hetimet, aktakuzat dhe vendimet gjyqësore në luftën kundër krimit të organizuar. Numri i aktakuzave mbetet i ulët”, Raporti i KE-së për  Progresin e Maqedonisë.

Ministri mes të tjerësh theksoi edhe se kontrolli në kufirin jugor është përforcuar, për shkak të ndodhive të fundit në Siri dhe të rrezikut nga një valë e re emigrantësh. Edhe pse nuk ka paralajmërim për rritjen e numrit të refugjatëve në vend, megjithatë Spasovski thotë se do të shpërndahen forcat e Fronteks-it.