Krizë për anesteziologë e infermierë në Kosovë

Mungesat e anesteziologëve dhe të infermierëve janë më të vërejtshmet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe, sipas të gjitha gjasave, ato nuk do të mund të adresohen së shpejti.
Kjo qendër ka mbi dyfish më pak anesteziologë se do të duhej të kishte, përkatësisht 48 – ndërsa, bazuar në nevojat dhe kërkesat, do të duhej të kishte 120.
Arsye për këtë gjendje është largimi i vazhdueshëm i stafit mjekësor nga ky institucion publik i shëndetësisë.
Pajisja për monitorimin e gjendjes shëndetësore të pacientit në Klinikën Intensive, QKUK, Prishtinë, shtator 2022.
Myziene Kryeziu, anesteziologe, është prej atyre që kanë marrë një vendim të tillë këtë vit. Pas më shumë se 15 vjetësh punë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Kryeziu është larguar këtë muaj, për të nisur punë në një klinikë private në Prishtinë.
“Nuk kam ikur për shkak të rrogës. Aq jam lodhur e dërmuar, saqë nuk mundem më… Llogarite të kujdestarosh çdo të tretën ditë, 24 orë në punë”, thotë ajo.
Në kushte normale, një anesteziolog do të kujdestaronte, mesatarisht, një herë në tetë ditë.
Kryeziu e përshkruan gjendjen në QKUK si “krizë”.
“Normalisht që është krizë kur për 700 operacione [në muaj] punojnë 48 anesteziologë. Jemi ankuar dhe kemi diskutuar në çdo mbledhje, por askush nuk është marrë me ne… Shteti nuk është lodhur me ne për asgjë, për asnjë stimulim”, thotë Kryeziu./REL

Back to top button