Tragjedia në Genova

Tragjedia në Genova

Kryeministri i Italisë, Gjuzepe Konte ka akorduar 5 milionë euro shtesë nga fondet qendrore, për t’ia dhuruar rajonit të Ligurias, pas shembjes së urës në Genova, duke shpallur poashtu gjendje të jashtëzakonshme për një periudhë prej 12 muajsh në këtë rajon.

Qeveria rajonale ka kërkuar veprime të menjëhershme pas shembjes së urës, ku mbetën të vdekur 38 persona, mes të cilëve edhe dy shqiptarë.

Më shumë se 400 persona janë evakuuar nga zona, ndërsa 15 vetë po trajtohen në spital, 9 prej të cilëve në gjendje kritike.

Ekipet e shpëtimit tashmë kanë pak shpresa se mund të gjejnë të mbijetuar të tjerë nën rrënojat e urës “Morandi”, ku pothuajse 40 makina ranë nga një lartësi prej 45 metrash, pas shembjes së një pjese të urës.

Ende nuk është bërë i ditur shkaku i shembjes së urës, por debatet në vend janë ndezur në lidhje me kushtet e sigurisë së rrugëve, apo edhe urave të tjera në vend.

Zemërimi është i madh edhe me kompaninë që merrej me mirëmbajtjen e urës së shembur. Autoritetet kanë nisur hetimet për vrasje të mundshme nga neglizhenca, ndërkohë që në qytet janë shpallur dy ditë zie pas tragjedisë./21Media