Haradinaj: Forcimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Ballkan arrihet me bashkëpunimin e dy vendeve

Haradinaj: Forcimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Ballkan arrihet me bashkëpunimin e dy vendeve

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në mbledhjen e dy Qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë që është mbajtur në Korcë tha se ky vit pasqyron ëndrrën euroatlantike të dy vendeve, e cila më së miri e realizohet së bashku.

Haradinaj në këtë takim ka folur dhe për të arriturat e Qeverisë së Kosovës në këtë kohë të shkurtër, duke pohuar se agjenda evropiane e Kosovës është integruar dhe është tashmë program qeverisës. Ndërsa foli dhe për FSK-në, për të cilën tha se është në drejtimin e duhur dhe janë serioz dhe se me kohë do të kemi transformimin e FSK-së në forca të armatosura.

Haradinaj tha se gjatë kësaj kohe sa ka qeverisur rëndësi i ka kushtuar rendit dhe ligjit dhe se sot në Kosovë parametrat flasin për më shumë rend dhe ligj. Por tha se sfidë mbetet luftimi i krimit e korrupsionit, një e keqe e re kjo e cila rrezikon Kosovën. Ai foli dhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke pohuar se janë të vendosur për dialog, por se epilogu duhet të sjellë njohjen mes dy vendeve. Ndërsa tha se në këtë dialog duhet të jenë pjesëmarrëse dhe SHBA-të.

Haradinaj po ashtu foli dhe për vështirësitë që po has Kosova në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar dhe marrjen e njohjeve. E për këtë kërkoi dhe ndihmën e Shqipërisë.

“Kosova është në vështirësi për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar, në marrjen e njohjeve dhe këtu dëshiroj të kërkoj dhe njëherë dhe të apeloj se vetëm së bashku edhe Shqipëria mund të ndihmoj Kosovën në këto procese, që janë shumë me rëndësi për forcimin e pavarësisë sonë. Ne duke punuar për ta forcuar Kosovën, e forcojmë respektin për vetveten, por dhe vetëbesimin tonë sepse vitin që vjen jemi 10 vjet shtet”, tha Haradinaj.

Ndërsa tha se forcimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Ballkan arrihet dhe përshpejtohet më mirë, me bashkëpunimin e dy vendeve.

“Forcimi i Kosovës dhe forcimi ynë në Ballkan, arrihet ose përshpejtohet më mirë me bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Andaj puna e mirë që kemi bërë i nderuar kryeministër për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe sot mundësia që të nënshkruajmë 12 marrëveshje e protokolle dhe njëkohësisht puna e bërë e avansuar që do të qoj në të ardhmen e afërt, deri në unifikimin e doganave mendoj se na bënë me u krenu por nuk mjafton. Unë e di se populli i Kosovës, populli i Shqipërisë e gjithë ne presin më shumë nga ne. E ne nga këtu do të vazhdojmë me punët që na presin e që janë shumë. Me punë nderojmë sakrificën për liri të gjithë brezave. Me punë nderojmë përgjegjësinë që kemi dhe vetëm me punë do të marrim respektin nga të gjithë”, tha ai.

Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se të dyja vendet, duhet t’i rrëzojnë barrierat që ekzistojnë dhe të rrisin shkëmbimet tregtare në çdo formë.

Ai tha se ka rritje të interesit të ndërsjelle në fushën e biznesit dhe se statistikat flasin shumë qartë për këtë.

Sipas tij 930 biznese nga Shqipëria operojnë në Kosovë dhe 600 biznese nga Kosova operojnë në Shqipëri dhe se tregtia midis dy shteteve tona është pesëfishuar viteve të fundit. Ndërsa tha se ky vit i ka të gjitha shanset të konfirmohet si vit i suksesshëm sa i përket shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Rama tha se të dy Qeveritë do të punojnë me këmbëngulje për të lehtësuar procedurat që në të ardhmen të kemi shkëmbime dhe me të mëdha.

“Të gjithë në Shqipëri dhe Kosovë presin me plot të drejtë më tepër akoma prej nesh. Ne po angazhohemi në këtë mbledhje për një qasje të re që nxit shkëmbime të gjithfarshme. Me marrëveshjet dhe protokollet e reja, që do t’i nënshkruajmë sot do ti japim shtytje shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve”, tha ai.

Ndërsa tha se askush s’mund t’i pengojë, të dy vendet që të shkruajnë historinë e Evropës moderne dhe ta bëjnë realitet atë që e shkruajnë.

“Sot këtu nga Korça askush s’mund të na pengojmë që të bëhemi shkronjës së historisë së Evropës moderne. Duhet të vendosim njëzëri se çfarë do të shkruajmë dhe së bashku atë që të shkruajmë ta bëjmë realitet”, tha ai.