Kryeministri priti një delegacion nga FIBA

Kryeministri priti një delegacion nga FIBA

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim një delegacion të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), të kryesuar nga drejtori ekzekutiv Kamil Novak dhe Arben Fetahu, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, thuhet në komunikatën e zyrës së Kryeministrit.

Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në FIBA, iu ka mundësuar të rinjve të marrin pjesë në më shumë se 18 gara ndërkombëtare, duke shënuar rezultate të mira dhe tani të bëhen edhe nikoqir i një organizimi ndërkombëtar. Sipas tij, ky është sukses i madh për Kosovën që u arrit falë talentit dhe përkushtimit të basketbollistëve.

I pari i Qeverisë, ka njoftuar Novak se Qeveria e Kosovës është e përshkushtuar për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, në mënyre që të rinjtë dhe sportistët të kenë mundësinë e ushtrimit të aktiviteteve të tyre sportive

“Ne kemi arritur që pas 19 vitesh prolongim e humbje, Pallatin e Rinisë t’ia kthejmë Prishtinës, qytetarit të saj, sportistëve dhe artistëve. Sportistët tanë, veçmas basketbollistët, tani e kanë në dispozicion këtë hapësirë, e cila falë statutit të ri të zgjidhur, do të mund të marrë investime të nevojshme, që të krijojë kushte edhe më të mira për zhvillimin e sportit ”, ka shtuar Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar përfaqësuesit e FIBA-s dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës për organizimin e Kampionatit Evropian FIBA U18 në Kosovë, duke thënë se ngjarjet sportive si këto janë të rëndësishme jo vetëm për basketbollin, por për sportin në përgjithësi, thuhet më tej në komunikatë.

Anëtarësimi i Kosovës në FIBA, sipas kryeministrit Haradinaj i ka krijuar mundësi basketbollistëve tanë që të garojnë dhe të jenë pjesë e drejtpërdrejtë në konkurrencën e grupmoshave të ndryshme.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i FIBA-s, Kamil Novak, tha se qëllimi i vizitës është për të parë nga afër organizimin e FIBA-s U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, që është duke u zhvilluar në Prishtinë dhe për të konfirmuar mbështetjen e FIBA-s për Federatën e Basketbollit të Kosovës./21Media