Pas deklaratave të Arifit reagon Kozarev

Pas deklaratave të Arifit reagon Kozarev

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi ka thënë sot se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen, por Serbia nuk është duke përmbushur obligimet e saj.

Ai ka thënë për televizionin serb Prva, se Prishtina asnjëherë nuk ka ndërprerë dialogun. “Të gjitha marrëveshjet për ne janë të rëndësishme dhe dihet të gjitha të përmbushen menjëherë. Nuk kemi parë se Serbia po e bën këtë. Nuk kemi dashur të shkojmë në ndonjë prezantim për asociacionin e komunave serbe”, tha ai, i pyetur se ku dialogu do të vazhdojë. Duke folur rreth asociacionit, Arifi tha se publiku serb duhet ta di se marrëveshja tashmë është aktivizuar dhe se grupi teknik duhet të përfundojë statutin dhe kjo është në proces.

Pas këtyre komenteve të Arifit ka reaguar, zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev.

“Përkujtoj që përveç disa bllokadave joformale, Prishtina, me vendimin e Kuvendit të institucioneve të përkohshme në Kosovë, pati ndërprerë zyrtarisht për disa muaj, pjesëmarrjen në dialog, ndërkaq që Qeveria e atjeshme, në fillim të marsit të këtij viti me një vendim formal ka refuzuar të hyjë në procesin e themelimit të Bashkësisë së komunave serbe”, ka thënë Kozarev.

“Kësaj duhet t’i shtohen edhe një varg deklaratash të autoriteteve politike shqiptare në Prishtinë, që themelimi i Bashkësisë së komunave serbe duhet të kushtëzohet me pranimin e Kosovës së vetëshpallur në Kombet e Bashkuara, si ka refuzuar që të marrë pjesë në bisedimet në Bruksel, ku tema e themelimit të Bashkësisë së komunave serbe është parësore”, ka thënë ai.

Këto sjellje të zyrtarëve të Prishtinës, sipas Kozarev, nuk janë gjë tjetër pos “bllokim i dialogut”.