“Meeting of Style” në Rrugën B të Prishtinës

“Meeting of Style” në Rrugën B të Prishtinës

Rruga “B” ka marrë një pamje të re plot ngjyra nga grafitet domethënëse të më shumë se 100 artistëve nga anë e kënd bota. Kjo pasi që sot është dita e tretë e festivalit “Meeting of Style”, i cili po mbahet në Rrugën B të Prishtinës, dhe rezultatet po vlerësohen të jenë mjaft mbreslënëse.

Vullnetarja Jonida Kuçi tha se ka interesim të madh të qytetarëve që gjenden aty për të parë dhe përcjellë prej afër punën e artistëve që po punojnë muralet.

Për këtë, ajo thotë se dëshmon edhe shitja e madhe e produkteve që janë shitur në kuadër të këtij festivali. Derisa bënë të ditur se deri më tash çdo gjë ka shkuar shumë mirë.

Në anën tjetër janë banorët e asaj lagjeje ata që i ka gëzuar më së shumti pikturimi i mureve.

Ndërsa sot më ndryshe nga dje, ekipi i kp-së nuk ka hasur në artistë shqiptarë, teksa ka takuar artistë nga vende të ndryshme të botës.

Kështu Airborne Mark nga Londra, i cili kishte ardhë për herë të parë në Kosovë, ka ndarë përshtypjet e tij për Prishtinën, duke vlerësuar lart mikpritjen shqiptare.

“Po është hera e parë në Kosovë, kam mbërritur para disa ditëve, hera e parë në Kosovë dhe në Prishtinë. Jam shumë i lumtur të jem këtu, një pritje e mrekullueshme nga organizatorët, ky event është një shpërthim… Puna ime është art konceptual. Kam ushqyer origami, kështu që e gjithë puna ime është e bazuar ne modelet e origamit që unë i dizajnoj. Pra e gjithë puna ime vjen në jetë si një model origamie, kam vënë pak dritë dramatike në të, kam përzier të kuqen me të kaltrën për të krijuar këtë ngjyrë, po është art konceptual për të folur, pra është eksplorimi im i origami në mur”, u shpreh Mark.

Për Thomas Fuch, i njohur me nofkën e tij artistike “FATAL”, Kosova është ndryshe nga shumë vende të Evropës. Edhe pse është hera e parë e tij në Kosovë, ai thotë se do të dëshironte të vinte prapë.

Sa i përket punës së tij në grafit, Fuch thotë se është një paraqitje e ndjenjave të veta, e që është e vështirë të thuhen me fjalë, prandaj edhe i paraqet përmes vizatimeve artistike.

“Unë e pëlqej këtë vend, është shumë mirë të takoj njerëzit mendjehapur, ndryshe nga një pjesë e Evropës. Nuk është e lehtë të përshkruaj punën, shumica ka filluar me ndjenjat. Artistët dëshiruan të bëjnë diçka në rrufe dhe pastaj shumë artistë thanë: në rregull, ne duam të bëjmë gjëra politike, disa të tjerë thanë që duan të bëjnë gjëra ilegale, është pak e vështirë ta përshkruaj”, deklaroi ai.

Ndërkaq nga Portugalia për t’iu bashkuar këtij festivali kishte ardhur edhe Ausr Philipe, i cili në grafitin e tij kishte paraqitur lirinë e majmunëve.

Duke u shprehur i lumtur që pati rastin të jetë pjesë e këtij aktiviteti, artisti Philipe thotë se ndjehet i mrekulluar me vendasit.

Ndryshe, nga ky aktivitet me grafitë janë mbuluar 1800 metra katrorë mure të Prishtinës nga100 artistë të vendeve të ndryshme të botës, si Portugalia, Italia, Gjermania, Britania e Madhe e vende të tjera.