Vetëm dy vitet e fundit, Telekomi i Kosovës ka humbur rreth 15 milionë euro, si pasojë e implementimit të kontratës me Z-mobile

Vetëm dy vitet e fundit, Telekomi i Kosovës ka humbur rreth 15 milionë euro, si pasojë e implementimit të kontratës me Z-mobile

Për këto dëme, fajtor është edhe ARKEP, me vendimet e saj. Kështu ka thënë kryesuesja e Bordit të Drejtorëve në Telekom, Besa Shatri –Berisha. Ajo gjatë intervistimit në komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen e Telekomit dhe Valës, tha se të gjithë numrat e klientëve me Z-mobile duhet t’i kthehen Telekomit të Kosovës.

E pyetur nga kryetari i komisionit, Visar Ymeri se çfarë do të ndodhë tutje pas përfundimit të kontratës me Z-mobile, tha se janë duke i hartuar të gjitha hapat e nevojshëm të cilët duhet të ndërmerren gjatë fazës së tranzicionit.

“Ne kemi brenda Telekomit një ekip ligjor, ekspertë të jashtëm që i kemi angazhuar gjatë tërë procesit sa ka qenë negociatat me Z-Mobile. Të cilët aktualisht janë duke i hartuar gjitha hapat e nevojshëm të cilët duhet të ndërmerrën  gjatë fazës së tranzicionit. Njëkohësisht kemi dërguar edhe një letër në ARKEP, që kjo periudha e tranzicionit të mos jetë e ndishme për konsumatorët, që ndryshe të koordinohemi edhe me ta për hapat e ardhshëm. Faza kalimtare, ne jemi dyke synuar 30 ditëshin, që ta kryejmë brenda 30 ditëve, mirëpo mund të zgjas më së shumti deri në 120 ditë, për ndonjë konsumatorë ose klientë i cili mund të ketë kontratë më të komplikuar”, ka thënë ajo.

Gjatë kësaj kohe, Shatri-Berisha tha se po synojnë që të kthejnë 90 për qind të konsumatorëve në Telekom.

Shatri-Berisha gjatë raportimit në komision tha se ka pasur shumë pika të mosmarrëveshjes me Z- Mobile, ndër tjera, edhe çështja e çmimeve.

Tha se kanë ushtruar edhe tri kallëzime penale ndaj Z-mobile.

“ Ne i kemi një borxh Z-Mobile, i cili është me vendim të arbitrazhit, ka edhe borxhe të pathyera që ata na i kanë neve. Ne do të tentojmë maksimalisht që gjatë periudhës së negociatave të ketë mundësi për kthyerje të borxheve. Gjithsesi ne kemi ushtruar tri kallëzime penale për kontratën me Z-mobile, ne presim që të veproj prokuroria, në mënyrë që të na hapet rruga për padi të kompensimit të dëmit. Ekspertiza financiare thotë që me implementimin e kontratës, vetëm dy vitet e fundit, Telekomi ka humbur mesatarisht 15 milionë euro”, është shprehur ajo.

Anëtari i komisionit Haxhi Avdyli ka kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhë me numracionet e Z-Mobile.

Për këtë Besa Shatri-Berisha tha se ky operator nuk ka infrastrukturë të saj, andaj sipas saj, këta numra i takojmë Telekomit.

Teksa ka theksuar se Telekomi është dëmtuar gjithmonë nga vendimet e ARKEP-it.

 “Sa i përket numracionit, është me rëndësi që të sqarohet se Z-mobile ka në shfrytëzim numrat e Telekomit, sa do që në opinion po përpiqet të lihet përshtypja që numrat i takojnë Z-mobile. Z-mobile nuk ka infrastrukturë të vet, nëse ne sot ia ndalim infrastrukturën, konsumatorët nuk kanë shërbime. Ideja e fazës së tranzicionit është që  shërbimet që i ka pasur Z-mobile të kthehen në Telekom. Historikisht Telekomi është dëmtuar nga vendimet e ARKEP-it. Nëse merr vendimin e arbitrazhit që e sheh që ai vendim është marr duke u bazuar në vendimin e ART-së, atëherë i kisha bërë thirrje ARKEP-it, në këtë rast që të mbajë anën e drejtë, le të dal me deklaratë, që numrat i takojnë kompanisë që ka licencë telekomunikuese dhe jo operatorit virtual”, tha mes tjerash ajo.

Gjendja momentale, sipas kryesueses së Bordit të Drejtorëve në Telekom, është  shumë e keqe, për çka ka pohuar se ditëve të fundit ka pasur edhe rënie të cilësisë së shërbimeve.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka pyetur atë se cili është roli i ARKEP-it gjatë kësaj faze tranzitore. Sipas Shatri-Berishës, ARKEP duhet të ketë rol monitorues e jo interpretues.

Gjatë raportimit të Shatri-Berishës, anëtarët e komisionit kanë kërkuar sqarime edhe për vendosjen e antenave nëpër vende afër familjarëve të zyrtarëve të Telekomit dhe atyre politikë.  Sipas Shatri-Berishës, janë në hartim të një plani rreth vendosjes së këtyre antenave për të parë, arsyeshmërinë e vendosjes së tyre, sepse sipas sajm ka vende në të cilat ka shumë antena të vendosura, ndërsa në disa vende mungojnë.

Kjo e fundit ka thënë po ashtu se që nga viti 2014 ka pasur rënie të të hyrave në Telekomin e Kosovës. Ajo nën betim ka premtuar se numri i të punësuarve nuk do të rritet. Ajo ka pohuar se janë duke humbur shumë me mos implementimin e kodit të ri telefonik (+383).