Kryetari i Gjykata Supreme ankohet

Sipas Vangelovski Prokuroria nuk po bashkëpunon

Kryetari i Gjykatës Supreme të Maqedonisë, Jovo Vangelovski është ankuar se Prokuroria Publike Speciale nuk është duke bashkëpunuar me ta. Ai thotë se edhe pse kanë kaluar tanimë 4 ditë, ata ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me kërkesat e dërguara. Sipas Vangelovskit, me një sjellje të këtillë, PPS-ja ndikon në prolongimin e procedurave emergjente të cilat po zhvillohen në Gjykatën e Lartë.

“Për shkak të karakterit urgjent të kërkesës së dorëzuar, shefi i kabinetit të kryetarit të gjykatës supreme të Republikës së Maqedonisë realizoi disa biseda telefonike me shefin e kabinetit të prokurorit për ndjekjen e veprave kriminele të cilat lidhen dhe të cilat dalin nga përndjekja joligjore e komunikimeve, prej ku akoma nuk ka përgjigje për kërkesën e dorëzuar.”

Nga Prokuroria Speciale Publike deklaruan se kërkesa për informacione e cila është dërguar nga ana e Gjykatës Supreme ka të bëjë me dhënien e informacioneve në lidhje me kërkesën për përjashtim të një gjykatësi nga Gjykata Supreme. Prej atje shpjegojnë se ata nuk ishin të vetëdijshëm për urgjencën e procedurës dhe se nuk është e vërtetë se procedurat vonohen për shkak të veprimeve të tyre. PPS-ja bëri thirrje për zbatim adekuat të parimit të urgjencës edhe me rastin e të vepruarit ndaj kërkesave të kësaj Prokurorie Publike.

“Sipas ligjit për procedurë penale, në procedurën për largimin e gjykatësit, veprim obligues është marrja e deklaratës nga gjykatësi. Duke pasur parasysh se informata e kërkuar mund të merret nga vetë gjykatësi për të cilin është kërkuar largimi, kjo Prokurori Publike nuk do të sigurojë përgjigje që mos të ndikohet në epilogun e procedurës”

Për avokatin Zvonko Davidoviq kjo paraqet tentim të Gjykatës Supreme për ta rrënuar imazhin e PPS-së. Ai thotë se në përgjithësi gjendja në gjyqësor është shumë e keqe dhe se nuk ka shenja për përmirësim.

“Shumë rrallë ndodh që Gjykata Supreme të kërkojë diçka nga PPS e që kjo të mos e ketë. Kjo më duket më shumë si një spin dhe përqeshje ndaj gjithë asaj që ka ndodhur deri tani. Është e qartë se PPS dhe dëshmitarët e saj përjetuan pengesa nga të gjitha anët”, tha ai.

Përndryshe më 30 mars PPS kërkoi nga Gjykata Supreme që kryetari Jovo Vangelovski të mos mund të marrë vendim për kërkesën për tërheqje të masës së paraburgimit kundër të dyshuarit të parë në rastin “TRUST”, Sead Koçan. Kërkesën e saj PPS e mbështet në faktin se Vangelovski përmendet në të ashtuquajturat “bombat” të publikuar nga ana e LSDM./21Media

Back to top button