Reagime për “I Love Tropoja”

Reagime për “I Love Tropoja”

Gjatë kësaj jave në Prishtinë do të shfaqet premiera kosovare e filmit të Ermal Mamaqit, “I Love Tropoja”. Por, filmi që ka tërhequr reagime të mëdha nga banorët e zonës së Tropojës, ka fituar marketing të madh, nëse bazohemi në thënien se nuk ka marketing që ndahet në të mirë apo të keq.

Faqja në facebook “Tropoja”, që ka rreth 38 mijë ndjekës, më datë 29 janar ka postuar një status, përmes së cilit fton protesta kundër këtij filmi, që siç shprehen, fyen tropojanët dhe gjithë shqiptarët. Në këtë reagim është thënë se filmi padrejtësisht paraqet se tropojanët për të nderuar mikun, ia dërgojnë në shtrat një vajzë të shtëpisë.

Por, për këtë ka folur edhe autori i filmit, Mamaqi, që në një postim në Instagram thotë: “Në film, Tropojanët dalin ashtu si janë, njerëz të besës të traditës dhe të nderit”.

Megjithatë, për filmin “I Love Tropoja” të Ermal Mamaqit, nuk duket të ketë vërejtje kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi.

Një gazetar i Radiotelevizionit 21 i ka shkruar një email duke kërkuar vlerësim për filmin, temën e tij si dhe reagimin e qytetarëve të Tropojës, por ai nuk është përgjigjur.

Gazetari i RTV21 e ka telefonuar kryetarin e Tropojës dhe e ka pyetur për filmin dhe reagimet kundër tij. Byberi është përgjigjur thjeshtë: “Nuk jam kritik arti. Pyetini kritikët e artit!” Pas insistimit të gazetarit për përgjigje, në këtë bisedë telefonike, kryetari (me ironi) i thotë: “Merruni me formimin e qeverisë suaj!” (Dhe e mbyllë telefonin.)

Filmi “I Love Tropoja” thuhet të jetë realizuar me buxhet prej rreth 700 mijë eurosh. Ndër të tjerë, pjesë e kastës së aktorëve të këtij filmi është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Filmi i përket zhanrit aventurë/komedi./21Media