Sipas Bashës zotimi mbetet për zgjedhje të lira

Sipas Bashës zotimi mbetet për zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të dielën ritheksoi qëndrimin dhe vendosmërinë e demokrateve se deri në fitoren për zgjedhje të lira e republikë të re nuk ka tërheqje.

Ai këto komente i bëri në Shkodër, me rastin e shënimit të 26-vjetorit të vrasjes së martireve të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu.

Duke vlerësuar sakrificën sublime që Shkodra ka bërë ndër vite, si qyteti që e ka paguar me çmimin më të lartë demokracinë, Basha tha se edhe sot vendi ndodhet në momente të vështira.

“Përsëris sot se deri në fitore zotimi ynë mbetet zgjedhje të lira e republike e re. Sakrifica e 2 prillit sot më aktuale se kurrë, marrëzia do të marrë fund. Zotimi ynë është dhe mbetet: zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardit evropian dhe republikë e re e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë së vërtetë”, theksoi ai.