KS i OKB-së debaton për Ushtrinë e Kosovës

Thaçi do të marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit

​Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të diskutojë sot për formimin e Ushtrisë së Kosovës, me kërkesë të Beogradit zyrtar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq pritet të flasin në seancë, e cila do të jetë e hapur për media sonte nga ora 21:00.

Thaçi para nisjes për në New York deklaroi se pavarësisht diskutimit në KS të OKB-së, transformimi i FSK-së në ushtri është proces i pakthyeshëm. “Nëse Serbia është e shqetësuar nga krijimi i ushtrisë sonë, serbët e Kosovës ndihen të sigurt”, tha ai.

I pari i vendit tha se duke formuar ushtrinë dhe duke arritur një konsensus të gjerë politik dhe civil mbi dialogun me Serbinë, Kosova kishte arritur “sukses të jashtëzakonshëm” në ditët e fundit.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të premten miratoi ligje me të cilat FSK-ja transformohet në Ushtri të Kosovës. Ndërsa të shtunën Kuvendi miratoi rezolutën për dialog me Serbinë./21Media

Back to top button