Pacolli premton përkrahje financiare për bizneset e të rinjve

Pacolli ka thënë se për të arritur sukses, nevojitet punë, energji dhe investime

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë nga radhët e kësaj partie, Vesel Makolli, Luan Shllaku dhe Mirlindë Gashi, ka vizituar të enjten qendrën inovative të bizneseve në Gjakovë, ku u prit nga drejtori i kësaj qendre, si dhe nga ndërmarrësit e rinj të kësaj komune, me të cilët u bisedua për përkrahjen që duhet ofruar bizneseve të reja, si potencial i rëndësishëm për zhvillim ekonomik.

Pacolli është zotuar se iniciativat e tilla gjithmonë do ta gëzojnë përkrahjen e tij të fuqishme, duke trajtuar kështu me kujdes secilën ide biznesore, e cila do të mund të sillte përfitime për ekonominë dhe qytetarët e vendit. Ai tha se për të arritur sukses, nevojitet punë, energji dhe investime.

“Ministrinë e Punës, AKR-ja do ta shndërrojë në qendër pro-aktive, ku idetë do ta kenë shansin të shtjellohen dhe të implementohen. Aty do të ketë ekipe ekspertësh, të cilët do të punojnë me këto ide”, tha presidenti i AKR-së.

Në vazhdën e diskutimeve me ndërmarrës, lideri i AKR-së dhe kandidatët e tij për deputetë diskutuan rreth mbështetjes institucionale të cilën AKR do ta ofrojë në qeverisjen e saj, e ku rrjedhimisht do të krijohet mundësia e përfshirjes së 40 mijë të rinjve në tregun e punës për çdo vit.

Më pas vizita vazhdoi në Fabrikën “Intertex”, e cila numëron qindra punëtorë dhe është hapur me iniciativën e presidentit Pacolli.

Me këtë rast, kreu i AKR-së përcolli mbarëvajtjen e punëve dhe u shpreh i impresionuar me arritjet e kësaj fabrike.

Ndryshe, presidenti Pacolli dhe kandidatët e AKR-së vizitën në Gjakovë e përmbyllën me vizitë në fabrikën për prodhimin e armaturave “Armatek”.

Back to top button