Kosova sot VOTON

Kosova sot VOTON

Sot në ditën e zgjedhjeve i nominuari për kryeministër nga PDK, Kadri Veseli do të votojë në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, në ora 09:00.

I nominuari për kryeministër nga NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj do të votojë nga ora 10:30, në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

I nominuari për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti do të votojë në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje përmes një emaili ka njoftuar se kreu i saj do të votojë në ora 9:30.

Ndërkaq, numri 2 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, do të votojë në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, në orën 12:00.

E nominuara për kryeministre të shtetit nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, do të votojë në Fakultetin Teknik në Prishtinë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu. Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një emaili ka njoftuar se kreu i saj, Isa Musftafa, do të votojë në ora 11:00 në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.

Në orën 11:00, në shkollën “Nuhi Gashi”, në Bradash voton nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu me bashkëshorten Igballe Veliu.

Ndërsa, në orën 11:00, në SHF “Abaz Ajeti”, voton nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëshorten Mike Haziri.

I nominuari për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, do të votojë në shkollën “Ali Sokoli” në Prishtinë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një emaili ka njoftuar se kreu i saj do të votojë në ora 10:00.

Janë 1 milion e 937 mijë 869 persona që sot kanë të drejt vote, të cilat do të kenë mundësi t’i votojnë për 20 parti politike, katër koalicione dhe 1 kandidat të pavarur, me 1 mijë e 67 kandidatë për deputetë. Numri i Qendrave të Votimit është 895 me 2 mijë e 547 vendvotimeve. Kurse, numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje është 111 mijë e 733 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar të mbajë disa konferenca gjatë ditës së sotme për të informuar lidhur me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje dhe ecurinë e procesit zgjedhor, në orën 08:00; 11:30; 15:30; 19:30 dhe për konferencën ku do të publikohen rezultatet preliminare KQZ-ja do të informojë më vonë./21Media