Ku është ardhmëria e fermerëve të rinj?

Ndërmarrjet rajonale duan ndihmë nga shtetet e tyre

Ndërmarrjet bujqësore janë rruga e vetme që të rinjtë të qëndrojnë në qytetet e vogla, thonë fermerët. Bujqit nga rajoni posedojnë parcela të vogla dhe vetëm përmes bashkimit mund të arrijnë deri te mjetet për ekzistim për fermerët e rinj, me qëllim që të parandalohet shpërngulja e të tyre. Në Vojvodinë ekzistojnë mbi 400 ndërmarrje bujqësore,  pas të cilave qëndron shteti, gjë që vlerësohet si gjë kyçe për zhvillimin e tyre.

“Dy masa janë posaçërisht të rëndësishme. E para – Qeveria në vitin 2017 filloi me ndarjen e ndihmës së mjeteve financiare të pakthyeshme në vlerë prej 50 deri në 120 mijë euro. Kjo masë do të vazhdojë edhe në vitin 2018-2019. E dyta, qeveria në gjithë konkurset për ndihmë financiare i përfshin edhe ndërmarrjet bujqësore. Këtu mos-kthimi i mjeteve është 60%, por megjithatë kjo paraqet inkurajim”, u shpreh Radisllav Jovanov, kryetar i Lidhjes së Ndërmarrjeve Bujqësore në Vojvodinë, Serbi.

Në Maqedoni ekzistojnë 39 ndërmarrje bujqësore. Nga Asociacioni i ndërmarrjeve bujqësore të Maqedonisë, presin që të ketë ndryshim të Ligjit për ndërmarrje bujqësore për shkak të paqartësive që kanë qenë pengesë për formimin masiv të kooperativave, shkruan tv21.tv

“Para së gjithash në ligjin për ndërmarrjet bujqësore nuk e kemi të qartësuar çfarë bashkohet. Vetë bashkimi i anëtarëve në ndërmarrje paraqitet si problem i madh për shkak të përvojave të këqija nga e kaluara. Andaj fermerët nuk janë të gatshëm që ta bashkojnë kapitalin e tyre në ndërmarrje. E gjithë kjo duhet të definohet në ndonjë mënyrë me ligjin e ri. Ky është një nga problemet. Problemi tjetër është tatimi i dyfishtë i anëtarëve të ndërmarrjeve dhe të ardhurave që i realizon ndërmarrja bujqësore”, tha Mende Ivanovski, Asociacioni i ndërmarrjeve bujqësore të Maqedonisë.

Fermerët theksojnë se këto forma të bashkimit u ndihmojnë që të kenë punë më efikase, nga blerja e materialeve  e deri te plasmani i prodhimeve.

“Mundohemi që edhe plasmanin e produkteve ta realizojmë përmes ndërmarrjes sonë. Tani për tani shesim një pjesë të vogël të mjaltit por shpresojmë se me kalimin e kohës do ta zgjerojmë tregun”, tha Mende Trajkovski, ndërmarrja bujqësore për mjaltë dhe produkte të mjaltit.

Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me ndërmarrjet bujqësore kërkon mënyrë si dhe drejt kujt të orientohen instrumentet financiare për punë efikase të kooperativave.

“Biseduam edhe për bujqësi digjitale në të cilën shumë mjete tjera që na ofrohen përmes teknologjisë dhe elektronikës, për prodhimtari të kontrolluar, prodhimtari optimale përmes uljes së shpenzimeve”, shtoi Trajan Dimkovsi, Ministria e Bujqësisë.

Qëllimi i Asociacionit të ndërmarrjeve bujqësore të Maqedonisë është ndërtimi i shoqërisë kooperative. Ata thonë se po vazhdojnë me përpjekjet për tejkalimin e sfidave nacionale dhe ndërkombëtare në sektorin e bujqësisë, përmes ndjekjes së standardeve për prodhim dhe konkurrencë, për “mbijetesë” të bujqësisë dhe eksport të produkteve bujqësore.

 

 

 

Back to top button