Ku qëndron Kosova në luftën kundër pastrimit të parave?

GLPS organizon konferencë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) sot organizon konferencë për media me temë: “Lufta kundër pastrimit të parave dhe konfiskimit të aseteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme: Ku qëndron Kosova?”. Konferenca për media do të fillojë në orën 14:00.

Lufta kundër pastrimit të parave dhe konfiskimit të aseteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme janë elemente kryesore në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj, GLPS thotë se përkushtimi dhe fokusi i institucioneve të sistemit të drejtësisë në Kosovë duhet të jetë në trajtimin sa më efikas të kësaj dukurie. Sipas tyre, mungesa e konfiskimit të aseteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme, kryesisht përmes pastrimit të parave tregon mungesën e profesionalizmit gjatë trajtimit të këtyre rasteve nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe gjykatave në Kosovë.

Në këtë konferencë, GLPS do të shpalosë të gjeturat e analizës të titulluar “Lufta kundër pastrimit të parave dhe konfiskimit të aseteve të fituara në mënyrë të kundërlgjshme: Një reflektim i gjendjes aktuale”. Të gjeturat e analizës do të fokusohen në disa nga mangësitë e PRSK-së dhe gjykatave në trajtimin e rasteve të pastrimit të parasë në Kosovë. Kjo analizë thuhet se trajton edhe praktikat e ndjekura deri më tash nga këto dy institucione dhe trajton mundësinë e ndryshimit të legjislacionit lidhur me kompetencën e hetimit të këtyre rasteve. Po ashtu, GLPS do të ofrojë një sërë rekomandimesh lidhur me përmirësimin e situatës aktuale të ndjekjes dhe gjykimit të veprës penale të pastrimit të parave.

Back to top button