KMDLNj reagon për sulmin ndaj pelegrinëve serbë

KMDLNj reagon për sulmin ndaj pelegrinëve serbë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj sulmit kundër pelegrinëve serbë në Studenicë të Istogut, duke bërë të ditur se pengimi i qytetarëve serbë për t’i vizituar pronat e tyre apo kultet fetare është shkelje e të drejtave të njeriut dhe kufizim i lirisë së lëvizjes dhe si i tillë është i papranueshëm.

Më 21 tetor, një grup i serbëve që aktualisht jetojnë si persona të zhvendosur në Serbi, në mënyrë të organizuar vizituan fshatin Studenicë, përkatësisht manastirin në këtë fshat dhe gjatë vizitës kanë hasur në kundërshtim të banorëve shqiptarë.

Policia e Kosovës ka ndaluar 11 persona dhe ndaj 6 të ndaluarve ka filluar procedura për prishje të rendit publik. Gjatë kundërshtimit, disa protestues kanë hedhën gurë në drejtim të autobusit duke thyer disa xhama mirëpo nuk pati të lënduar në mesin e udhëtarëve.

KMDLNj konsideron se është e papranueshme që thuajse 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë të rrezikohet liria e lëvizjes e motivuar në baza etnike, ndërsa inkurajon të zhvendosurit të kthehen në pronat e tyre.