Ky vendim mund t’u shpëtojë jetën një numri të madh të dënuarëve

Ky vendim mund t’u shpëtojë jetën një numri të madh të dënuarëve

Parlamenti iranian miratoi sot një amendament që kufizonte zbatimin e dënimit me vdekje lidhur me çështje të trafikut të drogës, një gjest që mund t’u shpëtojë jetën një numri të madh të dënuarish.

Ky amendament, për të cilin pritet edhe vendimi i Këshillit të Gardianëve të Kushtetutës, një instancë e dominuar nga konservatorët, në fakt do të ketë fuqi prapavepruese, bën të ditur Parlamenti iranian në faqen e tij të internetit. Një pjesë prej 5 mijë e 300 të burgosurish, aktualisht të dënuar me vdekje për trafik droge, mund të bëhen objekt i një ndryshimi vendimi.

Sipas Amnesty International, në vitin 2016, ‘Irani figuronte mes vendeve që kanë ekzekutuar numrin më të madh të personave, shumica me varje, për çështje të trafikut të drogës. Por, sipas organizatës, numri i të ekzekutuarve ka rënë ndjeshëm këtë vit, me rreth 42%.

Sipas amendamentit të miratuar të dielën, rastet e shpërndarjes së heroinës, kokainës dhe amfetaminës do të dënohen me vdekje, vetëm atëherë kur personi kapet me më tepër se dy kilogramë, kundrejt 30 gramëve deri tani. Pragu i dënimit do të rritet në 50 kilogramë për opiumin dhe marijuanën kundrejt pesë kilogramëve aktualisht.

Dënimi me vdekje do të mbahet në fuqi për kriminelët në krye të karteleve të drogës, për ata që punësojnë të mitur në këto trafiqe apo përdorin armë zjarri, si dhe për ata që e kanë marrë tashmë dënimin me vdekje apo janë dënuar me më tepër se 15 vjet punë.

Për ata që nuk bëjnë pjesë në këto kategori, dënimi me vdekje do të ndryshohet në një dënim prej maksimumi 30 vjet burg, i shoqëruar me gjobë.