Kujtohen dëshmorët Talla, Durmishi e Maliqi

Talla, Durmishi e Maliqi u vranë nga shërbimi sekret serb

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj kanë kujtuar dëshmorët Hyzri Talla, Ilir Durmishi dhe Afrim Maliqi të cilët ranë para 21 vjetësh.

Presidenti Thaçi në llogarinë e tij “Facebook” ka shkruar se para 21 vjetësh u vranë pabesisht tre veprimtarë.

“Hyzri Talla ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili së bashku me dy veprimtarët tjerë, gazetarin Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishin, ranë në krye të misionit për çlirimin e Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së tyre!”, ka shkruar Thaçi.

Haradinaj shkroi se rënia e këtyre dëshmorëve ishte goditje për UÇK-në, por frymëzim që të vazhdohet rruga për liri.

“Hyzri Talla, Ilir Durmishi dhe Afrim Maliqi, intelektualë e luftëtarë, 21 vite më parë, flijuan jetën për të realizuar ëndrrën tonë. Rënia e tyre ishte goditje për UÇK-në, por frymëzim që të vazhdohet rruga për liri. Përulemi para veprës së tyre në shërbim të Atdheut dhe kombit. Lavdi!”, shkroi Haradinaj.

Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi, më 2 dhjetor 1998 ranë në një pritë të forcave serbe në Prishtinë.

Kjo ishte një vrasje makabre e dëshmorëve Hyzri Talla, oficer i lartë i UÇK-së, Afrim Maliqit, dhe Ilir Durmishit.

Ata u vranë nga shërbimi sekret serb në afërsi të Qendrës së studentëve në Prishtinë derisa ndodheshin në një mision ushtarak.

Dëshmorët e kombit qenë në mesin e shumë djemve dhe vajzave shqiptare që ua mësynë shtigjeve të lirisë dhe është vështirë të shkruhet dhe të nxirren në sipërfaqe heroizmat e luftëtarëve të lirisë./21Media

Back to top button