Reagon Kuka

Reagon Kuka

Trajneri i njohur kosovar, Driton Kuka, u shpreh i zhgënjyer me performancën e lojtarëve të rinj në Lojërat Evropiane në Baku. Përmes një shkrimi në Facebook, Kuka tha se deri më tani sportistët patën performancë të dobët, përfshirë edhe xhudisten Erza Muminoviq, e cila u ndal në raundin e parë të ndeshjes.

“Në Baku po mbahen EYOF ose Lojërat Evropiane për të rinj… Gara këto të sportistëve të rinj 14-18 vjeç. Deri sot performancë e dobët e krejt sportistëve në të gjitha sportet përfshi edhe Erzen që llogaritej favorite për medalje. Kjo është alarmante se garuesit e rinj spo ndërtohen si duhet në Kosovë. Për tjerat sporte se di por për Erzen e edhe disa garues të ekipit tim saktësisht e di shkakun dhe arsyen e paraqitjes shumë të dobët! Sporti Kulminant don jetë Sportive 100 për qind përfshi këtu edhe daljet e shpeshtuara duke zvogëluar kështu fokusin për gara serioze! Përgjegjësi do kërkoj nga secili veç e veç,në ekipin tim!”, shkroi ai në Facebook.

Më tej tha se në këto gara duhet të shkohet me përgjegjësi, e jo vetëm për shëtitje e fotografi. 

“Prezentimi i shtetit don përgjegjësi e jo të shkohet në gara për shetitje e fotografi! Deri në fund të EYOF ka ende garues,të shpresojmë … Çdo federatë e trener merrini përgjegjësitë e mos i bani qef vetes se kryhet gara e çdo send harrohet,këtu po i përfshij edhe njerëz në stafin e trenerëve në ekipin tim e patjetër edhe unë dua të marr përgjegjësitë e mia. Foton e postova sa mos me mbet teksti i zbraztë.”, shkroi më tej Kuka.

Medalistja e bronztë Olimpike për të rinj, xhudistja Erza Muminoviq garoi sot në garat e Festivalit Olimpik Evropian për të Rinj, Baku 2019.

Xhudistja nuk pati fat, pasi nuk arriti të kalojë garuesen nga Hungaria, Anna Kriza, në raundin e parë të kategorisë -48 kilogramë./21Media