"Ideja ishte të mos kthehem pa medalje"

“Ideja ishte të mos kthehem pa medalje”

Në emisionin “Click” të RTV 21, sonte ishte i ftuar Selektori i Kosovës në Xhudo, Driton Kuka.

Kuka tregoi që në Lojërat Evropiane Minsk 2019, të cilat filluan nga 21 qershori dhe do të mbahen deri më 30 qershor, priste dy medalje.

Pritjet e mija kanë qenë, dy medalje. Kam thënë, Distria duhet me fitu medalje, Majlinda duhet me fitu medalje, Nora duhet me fitu medalje, po për secilën e kam ruajt pak një dozë rezerve se mundet me ndodhë diçka. Prej kujt e kam pas problem me pritë medalje është Akili. 73 kilogrami është kategori e çmendur, aty kampioni olimpik ka humbë në xhiron e dytë, çka tash me thanë humbje shokuese a, jo jo.”, tha ai.

Kuka më tutje tha se ideja e tij për këto lojëra ishte të mos kthehej pa medalje, përcjell rtv21.tv

Faktikisht dy medalje i kam pritë, po në atë ndërdijen time kam thënë mos të kthehem pa medalje, kjo është ideja për një shtet të vogël si Kosova.”, tha Kuka.

Kosova u përfaqësua nga 12 sportistë në Lojërat Europiane Verore Minsk 2019. Katër ditë pa u mbyllur këto gara, Kosova ndodhet në vendin e 25 për nga numri i medaljeve të fituara.

Tri xhudistet kosovare: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, i sollën shtetit të Kosovës tri medalje. Më 22 qershor, Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”. Kelmendi mposhti në finale me Ippon kampionen e deritashme të Evropës, rusen, Natalia Kuziutina.

Në Minsk, Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë. Ajo për pak nuk ia doli të fitojë medaljen e artë, të dytën për Kosovën në Lojërat Evropiane Minsk 2019. Ndërsa, Loriana Kuka fitoi medaljen e bronztë. Loriana mposhti gjermanen, Luise Malzahn në kategorinë -78 kilogramë dhe me këtë fitoi të bronztën në Lojërat e Dyta Evropiane Minsk 2019./21Media