Kukan ia shuan shpresat Kosovës

Kukan ia shuan shpresat Kosovës

Anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukanit, ka deklaruar se Kosova, ashtu si Bosnjë-Hercegovina nuk duhet të presin raporte pozitive nga Komisioni Evropian këtë vit.

Sipas tij, sundimi i ligjit dhe aspekte ekonomike të vendit janë ende nën një pikëpyetje të madhe, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në stanjacion, me shkallëzime të herpashershme dhe tensione në të dyja palët.

Komisioni Evropian beson se reformat në Kosovë janë ngadalësuar në sajë të periudhës së zgjedhjeve vitin e fundit në Kosovë.

Autoriteteve të Prishtinës do t’u kërkohet që të punojnë në mënyrë me efikase për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por edhe që të angazhohen më fort në dialogun me Beogradin. Në këtë kuadër përfshihet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në radhë të parë ngritja e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.

“Besoj se ky raport nuk do t’i sjellë shumë inkurajim Kosovës, sepse mund të kishin bërë shumë më tepër. Sa kohë iu desh Parlamentit të Kosovës që të aprovojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi? Kjo është një provë se gjërat në Kosovë nuk ecin si duhet të ecnin. Unë pres një sërë rekomandimesh të ashpra në raport për atë si duhet ecur dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen në rrugën evropiane,” tha Kukan.

Përsa i përket liberalizimit të vizave, ai nuk do të jetë pjesë e raportit për Kosovën. Pas një kohe të gjatë, Prishtina plotësoi njërën nga dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave dhe aprovoi një marrëveshje demarkacioni me Malin e Zi. Në Bruksel dëgjon të thonë se në mënyrë që të mbështesë liberalizimin e vizave për Kosovën, së cilës ende i duhen viza për të hyrë në Shengen, Komisioni Evropian mund të paraqesë disa aspekte pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, i cili është kushti i fundit që ka mbetur. Në anën tjetër, për shkak të imigrimit të madh nga Kosova, shtetet anëtare janë më shumë se të kujdesshme kur vjen puna për ta përfshirë Kosovën në listën e bardhë të Shengenit.

Në prag të publikimit më 17 prill të raportit të përparimit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Brukseli bëri të ditur se mbështetja dhe fokusi i Brukselit për procesin e zgjerimit nuk do të ndikojë në asnjë formë vlerësimin për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, të të drejtave të njeriut, ekonomisë dhe përputhshmërinë me standardet e BE në secilin nga gjashtë shtetet partnere në rajon.

Shqipëria dhe Maqedonia, sipas informacioneve të para nga raporti vjetor i Komisionit Evropian, do të marrin rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Në krye të këtij viti, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës. Dhe kjo me sa duket do të ndodhë. Jozyrtarisht, DW mësoi nga burime diplomatike të Brukselit se zyrtarë të lartë të BE kanë zhvilluar diskutime me shtetet anëtare për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën praktikisht deri në momentin e miratimit të raporteve.