Prevazi deklaron që kjo shfaqje nuk është e formatit të zakonshëm

Prevazi deklaron që kjo shfaqje nuk është e formatit të zakonshëm

Nesër shfaqet premiera e koreodramës “KUMT”, kushtuar Gjergj Kastrioti- Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes dhe vitit mbarëkombëtar kushtuar heroit kombëtar shqiptar.

Regjisori dhe koreografi Gjergj Prevazi tha se kjo shfaqje merr elemente bazike tradicionale folklorike, por me një qasje bashkëkohore.

“Me këtë shfaqje unë i qasem një forme e cila është gjithnjë e më e pranishme në skenar evropiane, që i përket estetikës së folkut konteperal. Pra, është një shfaqje e cila merr elementet bazike tradicional folklorik, por me një qasje, me një këndvështrim nga syri i sotëm, syri bashkëkohor. Shfaqja ka shumë komponent, për shfaqjen është kompozuar muzikë e re nga kompozitori Valton Beqiri, është ndërhyrë në kostume, ku kostumografja Vesa Kraja ka bërë një ndërhyrje në kostume ku ka trajtuar me mjete të lehta duke modernizuar sadopak pamjen e kostumeve tona”, tha ai.

Gjithashtu, regjisori u shpreh se kjo shfaqje nuk është e formatit të zakonshëm, por është një koncept më i gjerë me një qasje më teatrale.

“Sfida e dytë e madhe natyrisht ka qenë sfida e vet trupës së Ansamblit ‘Shota’, sepse është një format i cili nuk është i zakonshëm. Pra, ju nuk do të shikoni nesër mbrëma një shfaqje të formatit të përhershëm, këngë, valle, këngë, valle, por është një koncept më i gjerë me një qasje më teatrale. Ka një temë, një fabul, e cila nuk vjen në formën e adaptimit, por vjen si kalim i gjendjesh.”, u shpreh ai.

Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj, tha se përkundër vështirësive që kanë pasur, shpreson se kjo koreodramë do të mirëpritet nga publiku.

“Edhe me gjithë vështirësitë që i kemi pasur si ansambël me komunitetin artistik, me mungesë të fondeve, me greva, me të gjitha, megjithatë besoj që ia kemi arritur qëllimit. Tash jemi në prag të premierës, jemi të lumtur që premiera po realizohet në kohën që e kishim premtuar, më datën 26 shtator, do të thotë ditën e nesërme. Unë besoj shumë që është një format i ri, është një punë e lodhshme, por që audienca të gjithë kanë çka me pa. Besoj që kjo punë e promovon edhe e avancon edhe të gjithë trupën artistike të ansamblit Shota”, tha ai.

Ndërkaq, për muzikën e kësaj koreodrame është përkujdesur Valton Beqiri, i cili ka treguar se si kanë ardhur deri te përzgjedhja e muzikës.

“Sfida ka qenë në qasjen ndaj këngëve të ndryshme, sepse e gjithë shfaqja ndahet kushtimisht në dy pjesë bazike, njëra është pjesa e parë e cila pra e formëson edhe karakterin e Skënderbeut dhe pjesa e dytë ajo e dasmës dhe e kemi menduar se si do të ishte një dasmë e një Skënderbeut të sotshëm. Pra, si do ta realizonte ai dasmën, e vetmja mënyrë ka qenë që ai t’i ftojë mysafirët nga e gjithë trojet shqiptare, pra kemi blloqe të ndryshme të këngëve dhe valleve nga Kosova, Shqipëria e jugut, Çamëria, Shqipëria e mesme, dhe këngët arbëreshe. Kushtimisht, të gjitha trojet shqiptare janë prezentë në këtë dasmë”, tha ai.

Shfaqja do të ketë premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës me fillim nga ora 20.00./21Media