Vendimi i refuzuar dy vite më parë për shfrytëzimin e kalasë është rikthyer dje

Vendimi i refuzuar dy vite më parë për shfrytëzimin e kalasë është rikthyer dje

E gjithë kjo ka nisur dy vite më parë kur në krye të Vushtrrisë ishte Bajram Mulaku. Atëherë Kalaja e Vushtrrisë i ishte dhënë për shfrytëzim Mentor Salihut, dajës se ish-kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku. Si qëllim ai kishte të hapte restaurant por kundër këtij vendimi bashkë me disa qytetarë protestues ishte edhe kryetari i sotëm i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri i cili pasi filloi mandatin e tij, anuloi menjëherë këtë kontratë. Por, këtë të mërkurë Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve ka vendosur t’ia japë përsëri në shfrytëzim një pjesë të kalasë, kompanisë “Dardania Castle” me pronar Mentor Salihu.

Në vendim thuhet se është aprovuar kërkesa për rehabilitim/restaurim të Kalasë së Vushtrrisë si dhe kushtet dhe afatet e shfrytëzimit janë të përcaktuara në kontratë. Dhe në këtë projekt është paraparë shfrytëzimi i aneksit të kalasë i cili është i dizajnuar për një veprimtari të fushës së gastronomisë.

Ndërsa komuna e Vushtrrisë thotë nuk ishte në dijeni për asgjë. I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri i cili thotë se nuk do ta lejojë që Kalaja të shndërrohet në restaurant, shkruan rtv21.tv.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, në një procedurë super të shpejtë, brenda 1 dite të vetme, pa e njoftuar fare Komunën e Vushtrrisë, në kundërshtim me qëndrimet e Kuvendit të Komunës, ka nxjerrë vendim të kundërligjshëm për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Qytetit për gastronomi???”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërsa, organizata për trashëgiminë kulturore, CHwB Kosova konsideron se Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve me vendimin e fundit ka bërë një veprim kundërligjor duke shpërfillur kompetencat e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Si dhe kërkon nga organet përgjegjëse urgjentisht ta shfuqizojnë këtë vendim të kundërligjshëm në mënyrë që të parandalohet çdo veprim që cenon integritetin dhe autenticitetin e monumentit – Kalaja e Vjetër në Vushtrri.

Ndërsa, para dy viteve në atë kohë ushtrues detyre i Drejtorit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, Agim Gërguri kishte thënë se Kalaja e Vushtrrisë do të përfitojë nga dhënia në shfrytëzim dhe shndërrimi në restorant i një pjese të saj.

Momentalisht hapësira publike e Kalasë shfrytëzohet për seminare, aktivitete rinore e kulturore, por atë po tentojnë që ta kthejnë në një restaurant, i cili do të menaxhohet nga një kompani private./21Media