Protesta në Britani

Protesta në Britani

Mbretëresha Elizabeta e II, të mërkurën, e miratoi zyrtarisht kërkesën e kryeministrit Boris Johnson për të pezulluar punën e parlamentit para Brexit-it, apo largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, vendim i kryeministrit ky që nxiti reagime të ashpra nga ligjvënësit dhe kundërshtarët e Brexit-it pa marrëveshje.

Ai poashtu shkaktoi protesta në mbarë vendin dhe një peticion me më shumë se një milion nënshkrime.

Brexit-i pritet të ndodhë më 31 tetor dhe pezullimi i punës së Parlamentit do të zvogëlojë dukshëm kohën e ligjvënësve për të diskutuar largimin nga blloku.

Johnson do që Brexit-i të ndodhë më 31 tetor, me ose pa marrëveshje me BE-në, edhe pse institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse e lë bllokun pa marrëveshje mbi kushtet e divorcit, shkruan rtv21.tv

Kryetari i Parlamentit britanik, Jacob Rees-Mogg, tha se kundërshtarët e kryeministrit nuk janë të sinqertë dhe “thjesht duan të qëndrojnë në BE”.

Jeremy Corbyn, udhëheqës i Partisë Laburiste në opozitë, tha se pezullimi i punës së Parlamentit është “një goditje e fortë kundër demokracisë” dhe përsëriti se mund të thërrasë një votim mosbesimi ndaj Qeverisë së Johnsonit.

Mijëra njerëz protestuan në Londër, Mançester, Edinburg dhe qytete të tjera, ndërsa një peticion në internet që e dënon vendimin për parlamentin mblodhi më shumë se 1.1 milion nënshkrime deri në mëngjesin e sotëm.

Me vendimin e së mërkurës, puna e Parlamentit do të pezullohet jo më herët se 9 shtatori dhe jo më vonë se 12 shtatori. Vendimi i dominoi artikujt e gazetave të sotme.

Times tha se Johnson “e ka shtyrë Britaninë në prag të një krize kushtetuese”, ndërsa Guardian parashikoi një “përplasje historike parlamentare” pasi kundërshtarët kërkojnë të parandalojnë një Brex-it pa marrëveshje.

E presidenti amerikan, Donald Trump, në një postim në Twitter shprehu mbështetjen e tij për Johnsonin, duke thënë se “do të jetë shumë e vështirë” për Corbynin që të kërkojë një votë mosbesimi kundër kryeministrit, “marrë parasysh se Boris është pikërisht ai që Mbretëria e Bashkuar e ka kërkuar“.

Britania ka vendosur të dalë nga BE-ja përmes një referendumi në vitin 2016./21Media