“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur ambasadorin Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Marrëveshjen e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ata janë takuar në kabinetin e presidentit Thaçi ku mediat kanë pasur mundësi të filmojnë pritjen që presidenti i ka bërë Grenell. Pas takimit nuk ka pasur deklarata për media as nga emisari i presidentit amerikan e as nga presidenti Hashim Thaçi. Mirëpo, tani përmes një komunikate për media nga Presidenca thuhet se në këtë takim u tha se Marrëveshja e Paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”.

Ambasadori Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje. Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Pas takimit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se Grenell pret bashkëpunim me liderët vendorë, në lidhje me dialogun.

I dërguari i posaçëm presidencial, Grenell pret me padurim që të punojë me presidentin Thaçi dhe liderët e tjerë të Kosovës, për të ndihmuar që të arrihet paqja, drejtësia dhe prosperiteti në Kosovë dhe rajon”, shkroi në Twitter, ambasadori Kosnett.

Ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donlad Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar të administratës amerikane për dialogun Kosovë-Serbi./21Media