Kur dhe si duhet të themelohet asociacioni?!

Themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe ditëve të fundit ka zënë vend në deklaratat e pothuajse çdo përfaqësuesi të SHBA-së dhe BE-së. Ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që rinisi çështjen e zbatimit të marrëveshjes nga Qeveria e Kosovës
“Po, Asociacioni duhet të zbatohet. Të zbatohet brenda ligjeve të Kosovës, por po e ngritëm edhe këtë çështje. Jam në linje me BE-në”, ka thënë ai.
Për ta fuqizuar këtë deklaratë të tij së fundi foli edhe i dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin i cili kërkoi nga Kosova të flas për format e themelimit të asociacionit.
Por Qeveria dhe deputetët e partisë më të madhe në Kosovë i janë shmangur pyetjeve të televizionit për çështjen e themelimit të asociacionit duke thënë që t’i referohemi qëndrimit të fundit të kryeministrit Kurti. Ai foli dy ditë më parë në televizionin CNN dhe tha se nuk do të lejohet themelimi i një republike serbe në Kosovë, ashtu siç po e kërkon Serbia.
“Kosova nuk do të lejojë një lloj të Republikës Serbe në Kosovë. Nuk kam vullnet të përfshihem në një marrëveshje për të kompensuar humbjet e Serbisë në regjimin e Millosheviqit, por po për përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës. Shpresoj që Brukseli do ta vlerësojë këtë dhe ne do ta arrijmë një marrëveshje të njohur legalisht, të qendërzuar në njohje reciproke”, ka thënë ai.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar Qeverinë për qasje të gabuar sa i përket marrëveshjeve të Brukselit duke përfshirë edhe asociacionin.
Çdo tentim për të rinegociuar marrëveshjen e asociacionit që nuk është në përputhje me kushtetutën e vendit nuk duhet të pranohet nga Kosova, thotë deputeti tjetër i opozitës nga AAK, Pal Lekaj.
Marrëveshja e parimeve e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e vitit 2015 iu nënshtrua një vlerësimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila gjeti mospërputhje me të drejtat e liritë e njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe kërkoi që statuti i ardhshëm i Asocacionit të hartohet në pajtim me frymën e kushtetutës të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button