Kur kosovarët s’kanë drejtë ta shikojnë as qiellin!

Mosnjohja e Kosovës si shtet izolon ëndrrat e Pranverës

“Kur politika ta shpif!”… Jo vetëm mos liberalizmi i vizave, por edhe mosnjohja e Kosovës si shtet i pavarur nga vendet të ndryshme të botës, është bërë problem për të rinjtë kosovarë që të zhvillojnë karrierën e tyre. Kështu astronomes nga Kosova, Pranvera Hyseni po i pamundësohet që të shoh Eklipsin e Plotë të Diellit më 2 korrik të këtij viti në Kili.

Kjo ngase ky shtet nuk ka njohur Pavarësinë e Kosovës, e po ashtu nuk njeh as pasaportat e Kosovës. Hyseni për rtv21.tv, ka treguar se po tenton ta gjejë një mundësi tjetër për ta parë këtë eklips.

“Sidoqoftë, unë po mundohem të paktën me depërtu në Argjentinë, pasi që eklipsi do të jetë i dukshëm poashtu nga ai shtet, por e kam te pamundur me i vizitu qendrat vëzhguese më të mëdha në botë që ndodhen në Kili.”, ka thënë ajo.

Revoltën e saj për këtë gjë Hyseni e ka shprehur edhe përmes një postimi në Facebook, ku ka fajësuar politikën. Duke publikuar njoftimin se iu është refuzuar viza ajo ka shkruar: “Kjo është arsyeja pse politika ta shpif.”

Kjo nuk është hera e parë që Hyseni është përballur me të njëjtin problem. Siç ka treguar ajo për rtv21.tv edhe vitin e kaluar iu është pamundësuar asaj dhe bordit të kryesisë së organizatës për astronomi në Kosovë që të marrin pjesë në një Konferencë për Astronomi në Tunizi të Afrikës.

“Për shkaqe të ngjashme të mos njohjes së Kosovës si shtet të pavarur, s’kemi arrit me marr pjesë në atë konferencë.”, ka treguar Hyseni duke bërë të ditur se sa i përket këtyre pengesave ende nuk ka arrit që të shpreh pakënaqësitë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Themeluesja e “Astronomy Outreach Of Kosovo”, Pranvera Hyseni njihet për suksese të shumta që ka arritur në profesionin e saj edhe jashtë Kosovës.
Në nëntor të vitit 2017 një asteroid apo një planet i vogël ka marrë emrin e saj. Asteroidi është zbuluar në vitin 2000 nga Catalina Sky./21Media

Back to top button