Kosova me rival të fortë

Kosova me rival të fortë

Në selinë e Federatës Evropiane të Hendbollit në Vjenë u bë sot tërheqja e shortit për rrethin e parë të EHF CUP në konkurrencën e femrave dhe meshkujve. Kampioni i Kosovës në konkurrencën e femrave, Prishtina në kuadër të rrethit të parë do të ketë për kundërshtar skuadrën nga Zvicra Bryhl nenkampione e këtij shteti. Ndeshja e parë zhvillohet më 9/10 shtator në Prishtinë kurse ndeshja e kthimit më 16/17 shtator në Zvicër.

Kurse në konkurrencën e meshkujve, skuadra kampione e Kosovës BESA Fam Gas do të ballafaqohet me skuadrën nga Turqia Beykoz BLD SK, e cila debuton këtë vit në garat evropiane. Skuadra pejane ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 2/3 shtator ne Pejë kurse ndeshja e kthimi zhvillohet pas 7-të ditësh në Turqi.

Ndërsa në garat e Challenge Cup në të cilën Kosovën e përfaqësojnë skuadra më e suksesshme në garat evropiane për femra Shqiponja nga Gjakova dhe skuadra debutuese në garat evropiane Istogu nuk ishin me fat pasi shorti ju caktoi rival të fortë. Në kuadër të rrethit te tretë që zhvillohet më 11/12 nëntor kurse te kthimit me 18/19 nëntor 2017, Shqiponja është nikoqire e skuadrës ADA CJ Barrosh nga Portugalia, ndërsa Istogu debiton si vendas kundër skuadrës holandeze Virto/Kuintus. Një javë më vonë skuadrat tona udhëtojnë në Portugali gjegjësisht Holandë.

Kurse skuadra kosovare Trepça në konkurrencën e meshkujve në garat e Challenge Cup do të përballet me skuadrën e njohur Potaisa Turda nga Rumania. Ndeshja zhvillohet në kuadër të rrethit te tretë te Challenge Cup, dhe sipas shortit “minatorët” ndeshjen e parë janë vendas më 18/19 nëntor, kurse ndeshja e kthimit më 25/26 nëntor në Rumani./21Media