Kurti thotë se po hyjmë në dy javët vendimtare

Kurti thotë se po hyjmë në dy javët vendimtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka arsyetuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lirisë së lëvizjes, teksa ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi për mosrespektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së.

Kurti në një shkrim në Facebook bëri të ditur se i dërguan përgjigje në kërkesën e presidentit, duke e sqaruar qëndrimin e tyre në lidhje me argumentimin prima facie të kërkesës, pretendimin e presidentit për dëmin e pariparueshëm si dhe në lidhje me interesin publik.

“E kemi bërë të qartë konsiderimin tonë se Rregullorja e Punës së Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë në Rregullin 57.4 shkronjat (a), (b) dhe (c) se në mënyrë kumulative duhet plotësuar kriteret e përcaktuara me këtë dispozitë. Presidenti në këtë rast duhet në mënyrë kumulative (1) të ndërtojë prima facie rastin, (2) të dëshmojë se ekzekutimi i vendimit i shkakton dëm të pariparueshëm dhe (3) të dëshmojë se masa e përkohshme është në interesin publik. Marrë parasysh që presidenti si palë në procedurë nuk e ka plotësuar asnjërin nga të tri kushtet të cilat kërkohet të plotësohen në mënyrë që Gjykata të aprovojë kërkesën për masën e përkohshme, ne kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ta refuzojë kërkesën në lidhje me vendosjen e masave të përkohshme.”, shkroi Kurti.

Kryeministri u shpreh se nuk ka përgjegjësi më të lartë dhe më të rëndësishme sesa mbrojtja e shëndetit e të gjithë qytetarëve të vendit.

“Prandaj unë, bashkë me të gjithë Qeverinë time, jemi zotuar se do të veprojmë në përputhje të plotë me rekomandimet e ekspertëve të IKShP-së dhe, në veçanti, të drejtorit të tij, prof. Dr. Naser Ramadani. Lufta e presidentit kundër këtyre rekomandimeve ka ardhur në kohën më të papërshtatshme të mundshme. Sipas ekspertëve të IKShP-së, po hyjmë në dy javët më kritike, kur rreziku për përhapjen e përshpejtuar të virusit është në nivelin më të lartë. Kam thënë dhe do ta përsëris edhe një herë: Nuk ka vend për panik. Mirëpo, në javët që vijnë, më shumë se kurrë, duhet secili prej nesh, institucionet edhe qytetarët, të veprojë me kujdes të shtuar, në mbrojtje të të gjithëve.”, shkroi ai më tej.

Në fund ua ripërsëriti apelin qyetetarëve të qëndrojnë në shtëpi.

“Në kohë amullie si kjo është me rëndësi jetike që të mos harrojmë se të gjithë duhet të jemi duke luftuar armikun e njëjtë e që është Virusi COVID-19. Ne do të vazhdojmë me punën tonë në raport me menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate, pavarësisht veprimeve të presidentit, derisa të sigurohemi që do të dalim shëndetshëm e sigurt prej saj. Mos lejoni t’ju ndikojnë apetitet politike, por rrini nëpër shtëpitë e juaja, lani duart dhe bëni kujdes me distancën.”, shkroi ai.

Sot po mbahet seanca e Kuvendit për shqyrtimin e mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti./21Media