VV po mban tryezën me temën “Shënimi i kufirit me Malin e Zi – Korrektimi para ratifikimit”

VV po mban tryezën me temën “Shënimi i kufirit me Malin e Zi – Korrektimi para ratifikimit”

Në tryezën e Vetëvendosjes në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi, kreu i kësaj partie, Albin Kurti paraqiti rekomandimet e tij për këtë çështje.

Kurti kërkoi nxjerrjen e një deklarate për fqinjësi të mirë dhe rishqyrtim të marrëveshjes së demarkacionit me këtë shtet.

Kreu i VV-së në rekomandimet e tij kërkoi edhe hetim parlamentar për marrëveshjen e përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi, që u nënshkrua në Vjenë në gusht të vitit 2015.

Kurti deklaroi se para demarkacionit është dashur të plotësohej kushti i luftimit të korrupsionit.

“Ta përmbyllim njëherë këtë proces për luftim të korrupsionit pastaj ta qesim demarkacionin që me një seancë mund ta votojmë”, tha ai.

Kurti në lidhje me demarkacionin tha se kanë ndodhur zhvillime pozitive dhe negative.

“Zhvillimi i parë pozitiv është gatishmëria e Malit të Zi të bisedojë me Kosovën dhe për t’u takuar për demarkacion. Zhvillimi i dytë pozitiv është gatishmëria e Thaçit për të pranuar gabimin. Ai ka mund me thanë që unë si ministër i jashtëm dhe kryeministër nuk dua të diskutoj me Malin e Zi”, tha Kurti.

Ai zhvillim negativ e cilësoi ratifikimin e demarkacionit para korrigjimit.

Kuvendi tri herë ka nisur seancën për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, por nuk e ka nxjerrë në votim marrëveshjen.