Kurti: Në dialog duhet të respektohen tri parime

Kurti: Në dialog duhet të respektohen tri parime

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidati për kryeministër, Albin Kurti, priti në takim delegacionin shtetëror finlandez, të udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto.

Në këtë takim u diskutua rreth dialogut me Serbinë, kundërshtimit që Lëvizja Vetëvendosje ia bëri ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit territorial dhe ndikimit rus në rajon.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti theksoi se para së gjithash, duhet të ketë dialog demokratik, me të gjitha pakicat, për temat sociale dhe ekonomike, nëpërmjet të cilave do të realizohet integrimi i tyre në shoqërinë dhe ekonominë e vendit, përveçse në institucione.

Përtej kësaj, për çfarëdo dialogu, duhet t’i respektojmë tri parime: 1. Nuk do të ketë marrëveshje pa dialog, 2. Dialogu të orientohet rreth të drejtave të qytetarëve e jo mbi shkëmbimin territorial, dhe, 3. Jo dialog me harta, jo presidentet e dy shteteve, por ekspertët”, tha Kurti.

Gjithashtu, ai potencoi se Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë do të mbrojë sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës dhe asnjëherë nuk do të lejojë që disa individë të vendosin për fatin e një populli.

Nga ana e tij, Haavisto tregoi qëndrimin pozitiv të Finlandës për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e madhe të diasporës shqiptare në Finlandë.

Ndërsa, delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosjes vlerësoi mbështetjen që Finlanda i ka dhënë Kosovës në faza të ndryshme, veçanërisht në mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.