Albin Kurti beson në fitore

Albin Kurti beson në fitore

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur pro një koalicioni parazgjedhor me LDK.

Meqë se 22 gushti u la për shpërndarjen e Kuvendit, siç thotë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i bie qe zgjedhjet e reja të jenë me 22 apo 29 shtator, ose 6 tetor. Mirëpo ai mendon se kësaj radhe është e mundur që të fitojnë edhe para zgjedhjeve.

“Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë. Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare. Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t’i kemi pikërisht pas fitores. Sepse menjëherë duhet të ndryshojnë lajmet e mbrëmjes me qeverisjen tonë të re. Jo më skandale qeveritare por luftim i krimit dhe korrupsionit. Jo më emigrim porsi ekzod por punësim pa diskriminim. E kështu me radhë…”, ka shkruar ndër tjerash Kurti në Facebook.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dje  është shprehur se caktimi i datës së seancës për shpërbërjen e Kuvendit për 22 gusht është shumë i largët. Sipas saj, kjo do t’i mundësonte partive politike që të bënin pazare politike.

Vendimin e Kryesisë së Kuvendit për të mbajtur seancën për shpërbërjen e Kuvendit me 22 gusht 2019, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj e ka vlerësuar si të duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Ky vendim, sipas Haradinajt, do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opsion i vetëm dhe i domosdoshëm./21Media