Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha që përmbajtja e marrëveshjes është më e rëndësishme sesa afati kohor për të

Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha që përmbajtja e marrëveshjes është më e rëndësishme sesa afati kohor për të

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe anëtari i Kryesisë, Glauk Konjufca, u takuan me Ambasadorin Amerikan në Gjermani, Richard A. Grenell dhe Ambasadorin Amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Në një njoftim nga Lëvizja Vetëvendosje thuhet se Grenell uroi udhëheqësit e VETËVENDOSJE!-s për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dieles së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd.

Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të”, thuhet në shkrimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

VV deklarojnë se Kurti është pajtuar me ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime nga jashtë, porse korrupsioni i lartë në Qeveri ka krijuar pasiguri që kanë trembur bizneset.

Sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të.”, shkruan VV.

Në fund të deklaratës së tyre thuhet se bashkëbiseduesit u pajtuan që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re në Kosovë dhe se do të vazhdojnë komunikimin e shpeshtë e të rregull.

Paraprakisht është zhvilluar një takim në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Richard Grenell. Por, pas takimit nuk ka pasur deklarata për media as nga emisari i presidentit amerikan e as nga presidenti Hashim Thaçi.

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, është emëruar nga presidenti, Donald Trump si i dërguar i administratës amerikane për dialogun Kosovë-Serbi./21Media