Kurti thotë se hedhja e gazit lotsjellës ka sjellë dobi për Kosovën

Kurti thotë se hedhja e gazit lotsjellës ka sjellë dobi për Kosovën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka pranuar se në Kuvendin e Kosovës është përdorur gazi lotsjellës për të kundërshtuar marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin.

Ai gjatë seancës së sotme gjyqësore ka thënë se kanë provuar me pipa, vezë, ujë e gaz lotsjellës që të mos e lejojnë formimin e asociacionit dhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Kemi provuar me pipa vërshëllyes, me vezë edhe më ujë e kemi provuar edhe me gaz lotsjellës që të mos lejojmë kurrsesi Zajednicën e Serbisë në Kosovë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Kurti.

Ai tha se kur nuk kishin mundësi të flisnin, kishin organizuar protesta brenda dhe jashtë Kuvendit.

“Ne kemi vepruar në një situatë ekstreme ku po cenohej sovraniteti dhe integriteti territorial dhe kemi vepruar në një rrethanë urgjente jo vetëm ekstreme. Sot këto rreziqe nuk janë eliminuar por janë jashtëzakonisht më të vogla se që ishin para dy viteve dhe unë jam shumë i lumtur për këtë”, është shprehur Kurti.

Ai ka theksuar se hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend kanë sjellë dobi për Kosovën, pasi janë penguar dëme të mëdha.