Kurti: Ekonomikisht shoqëria jonë është përtokë, e gratë nën tokë

I pari i VV-së komentoi disa të dhëna nga raporti i Iniciativës Kosovare për Stabilitet

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se dy brengat kryesore në Kosovë si papunësia e korrupsioni nuk janë të rastësishme.

Në një postim në  llogarinë e tij “Facebook”, Kurti ka shpërndarë disa të dhëna bazuar në raportin e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, shifra të cilat sipas tij tregojnë se ekonomikisht shoqëria jonë është përtokë, ndërsa sipas tij gratë nën tokë.

“Sipas Raportit të Iniciativës Kosovare për Stabilitet “Fakte 2018”, 73% e të moshuarve varen nga mbështetja familjare për të mbuluar nevojat e tyre elementare, kurse 91% e të moshuarve të anketuar kanë deklaruar se blejnë barna të listës esenciale. Vetëm 12% e grave në Kosovë janë të punësuara, krahasuar me 46,6% të burrave. Pensionin bazë (shtylla e parë) e marrin gati dyfish më shumë gra sesa burra (81 mijë kundrejt 41 mijë), ndërkaq pensionin kontributdhënës (shtylla e dytë) e marrin mbi gjashtë herë më shumë burra sesa gra (sipër 37 mijë kundrejt 6 mijë). Pra, gati trefish më shumë qytetarë e marrin pensionin bazë krahasuar me atë kontributdhënës. Ekonomikisht, shoqëria jonë është përtokë. Gratë edhe nën tokë”, ka shkruar i pari i VV-së.

Kurti ka shtuar se jo rastësisht dy brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës sipas çdo ankete janë papunësia e korrupsioni. “Vjedhja lart e varfëria poshtë janë të ndërlidhura. Punësimi i paktë: me të njofshëm. Ndërkaq, hajnat e mëdhenj, po ashtu: të njofshëm! E vetmja prokuroria nuk është në ‘dijeni’ e s’i ‘njeh’ ata”, përfundon Kurti./21Media

Back to top button