Kurti: Si Kryeministër i ri do ta marr përgjegjësinë për dialogun me Serbinë

Kurti: Si Kryeministër i ri do ta marr përgjegjësinë për dialogun me Serbinë

Kandidati i VV-së për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti, në emisionin “Click” të RTV21,  ka thënë se me ardhjen e tyre në pushtet, nuk do të evitojnë dialogun me Serbinë.

“Ne nuk evitojmë dialogun me Serbinë, sepse mendojmë që problemi deri më sot ka qenë, ose përgjegjësia e njerëzve të gabuar, ose papërgjegjësia e njerëzve poashtu të gabuar”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se si Kryeministër i ri do ta marr përgjegjësinë për dialogun me Serbinë, mirëpo siç tha ai dialogu do të jetë parimor, i përgatitur mirë dhe me disa hapa paraprak.

“E para, në javën e parë do të fillojë dialogu me serbët e Kosovës, asnjë kryeministër nuk e ka bërë. Tjetra është që duhet të fillojmë bisedimet me Brukselin për dialogun me Serbinë. E dyta, jo dialog me harta dhe e treta hartat do të ekzistojnë, por rrotull tyre pa president, me ekspert të demarkacionit. Demarkacioni me Serbinë do të na duhet një ditë, mirëpo jo këtë gjë ta bëjnë presidentët sepse ajo është një çështje profesionale teknike ”, ka thënë Kurti./21Media