Kurti ia bën me dije Ramës: Rruga Beograd-Tiranë kalon përmes Prishtinës

Mini-shengeni ballkanik

“Askush nuk mund të qëndrojë mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi jemi një popull”, kështu deklaroi sot lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Përmes një postimi në llogarinë e tij personale në rrjetin social Twitter, Kurti ia ka bërë me dije kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se rruga e Beogradit për në Tiranë kalon përmes Prishtinës.

Parimet e gjithëpërfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim jo konfrontim!”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Këto komente Kurti i bëri rreth takimit të së shtunës që u zhvillua në Tiranë për “Mini-Shengenin”.

Në këtë takim në Tiranë, Rama i është drejtuar sërish liderëve të Kosovës për refuzimin për t’u ulur në tryezë në këtë nismë. Pothuajse gjithë fjalimin, Rama ia ka kushtuar Prishtinës, duke e paralajmëruar se vendimi për të mos iu bashkuar kësaj nisme po dëmton Kosovën.

Ideja e “minishengenit”  është kundërshtuar fuqishëm nga institucionet e Kosovës, në anën tjetër kryeministri shqiptar, Edi Rama pas Samitit të Ohrit mbajtur më 9 nëntor 2019 pat deklaruar se Kosova u vetpërjashtua pa asnjë arsye nga “Shengeni Ballkanik”.

Kjo iniciativë kishte filluar më 10 tetor 2019, kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev,  gjatë një takimi në Novi Sad u pajtuan që brenda vitit 2021 të eliminohen kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit./21Media

Back to top button