"Beteja e Koshares, një prej momenteve më të lavdishme të luftës së shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar"

“Beteja e Koshares, një prej momenteve më të lavdishme të luftës së shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar”

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në 20 vjetorin e Betejës së Koshares ka thënë se projekti i idealist i luftëtarëve çlirimtarë nuk mund të arrihet prej një kaste pushtetarësh që vjedhin për të sunduar e sundojnë për të vjedhur.

Kurti, Betejën e Koshares e ka cilësuar si një nga momentet më të lavdishme të luftës së shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar.

Nder e lavdi për luftëtarët e Koshares. Para 20 vitesh nisi Beteja e Koshares, një prej momenteve më të lavdishme të luftës së shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar. Kjo betejë u luftua prej brigadës 138 të UÇK-së, prijësi i së cilës ishte heroi i kombit, dëshmori Agim Ramadani. Mijëra shqiptarë morën pjesë në atë betejë, e mbi 100 prej tyre ranë dëshmorë. Si pjesëmarrësit, ashtu edhe dëshmorët që dhanë jetën për liri, ishin shqiptarë nga të gjitha trevat, shumë prej tyre edhe nga mërgata”, ka shkruar Kurti në rrjetin social, Facebook.

Kurti më tutje ka shtuar se çlirimtarët shqiptarë nuk e pranuan atë kufi të vendosur padrejtësisht më 1913.

Ajo betejë njihet si ngjarje historike për shkeljen dhe thyerjen e kufirit të imponuar nga pushtimi jugosllav, pra duke mos e njohur më kufirin shqiptaro-shqiptar. Luftëtarët çlirimtarë thanë: ne jemi shqiptarë, jemi vendas të kësaj toke që është Shqipëri në të dyja anët e kufirit, kemi një komb e një gjuhë, jemi të pavarur që prej 1912, e këtë ndarje të vendosur padrejtësisht më 1913 nuk e pranojmë”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, luftën çlirimtare e përkrahu Shqipëria, NATO e vende të rëndësishme mike. Derisa thotë se sot qeveritarët në Prishtinë e Tiranë e kanë harruar premtimin për heqjen e kufirit.

Ato prisnin nga ne të realizonim misionin tonë historik. Është për të ardhur keq se 20 vite më vonë ai kufi, të cilin e rrëzoi Agim Ramadani me shokë, vazhdon të jetë temë mashtrimi nga qeveritarë të Tiranës e Prishtinës të cilët premtojnë se do ta heqin, por gjithnjë e harrojnë premtimin e tyre”, ka shkruar i pari i VV-së.

Më tutje ai ka thënë se qeveritarët kanë shkatërruar shtetin, e se projekti idealist i luftëtarëve çlirimtarë nuk mund të arrihet prej një kaste pushtetarësh që vjedhin për të sunduar e sundojnë për të vjedhur.

Dy dekada më vonë, teksa i kujtojmë me respekt e dhimbje martirët, me nder e adhurim dëshmorët e heronjtë, të gjithë po e kuptojmë se projekti idealist i luftëtarëve çlirimtarë nuk mund të arrihet prej një kaste pushtetarësh që vjedhin për të sunduar e sundojnë për të vjedhur, që e kanë shkatërruar shtetin me privatizime, korrupsion e nepotizëm, e që dinë vetëm të mashtrojnë sa i përket aspiratave progresive shoqërore e kombëtare”, ka shkruar Kurti./21Media