Një skenar i shkurtër

Një skenar i shkurtër

Janë bërë 3 muaj që kur deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca e kanë dorëzuar në Prokurori kallëzim penal ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Kurti e Konjufca kanë dorëzuar një kallëzim penal ndaj Thaçit dhe Veselit, për dëshmitë e tyre të dhëna në një seancë gjykimi ndaj organizatës ‘Syri i Popullit’ që e lidhnin këtë organizatë me Vetëvendosjen.

Kurti ka përshkruar se si do të donte të dukej ftesa e Prokurorit të Shtetit ndaj Konjufcës.

Postimi i plotë i Kurtit:

– Alo, mirëdita.

– Mirëdita.

– Unë jam Zana nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës. Po flas me deputetin e Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca?

– Po, unë jam. 

– Prokurori i Shtetit ju kërkon të vini për një bisedë lidhur me Kallëzimin Penal që keni bërë me datë 25 prill 2019, në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Na vjen keq që nuk ju kemi thirrur më herët, por a mund të vini nesër, të premten, në ora 10:00?

– Ka tre muaj që pres këtë thirrje. Sigurisht që do të vij. Bëhet fjalë për Kallëzimin tonë Penal ndaj Presidentit dhe Kryeparlamentarit, që kanë gënjyer dhe shpifur nën betim në gjykimin kundër të ashtuquajturit “Syri i Popullit”, apo jo? 

– Po, ashtu keni thënë në Kallëzim Penal.

– Aty do të jem. Ju faleminderit. A e keni ftuar edhe Albin Kurtin?

– Po, porsa mbarova bisedën me të. Edhe ai do të vijë.

– Shumë mirë. Atëherë mirupafshim nesër. 

– Mirupafshim. Ju faleminderit z. Konjufca. 

Thjesht dhe qartë. Vetëm sikur të ishte edhe e vërtetë./21Media