"Koalicioni VV-LDK është fituesi ne do t’i kemi bashkë 70 deputetë"

“Koalicioni VV-LDK është fituesi ne do t’i kemi bashkë 70 deputetë”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të bashkëbiseduar me ndjekësit e tij.

Albin Kurti është pyetur nga ndjekësit e tij edhe për koalicionet parazgjedhore dhe ato pas zgjedhjeve.

Kurti ka thënë se është treguar i qartë që dëshiron koalicion parazgjedhor më LDK-në dhe se Isa Mustafa nuk e ka zhgënjyer nga vera e vitit të kaluar nga qëndrimet që ka marrë karshi çështjeve të ndryshme për vendin.

Ai ka arsyetuar edhe pse dëshiron një koalicion parazgjedhor dhe se me LDK-në çështja e fituesit do të ishte e mbyllur.

“Nëse subjektet do të garojnë veçmas atëherë me siguri do të ketë polemika të ashpra, secili do të besojë që fiton, unë jam i bindur që fiton VV, ata që nuk do të fitojnë do të hidhërohen, e kur hidhërohen nuk e dinë se çfarë bëjnë. Ama nëse e bëjmë koalicionin parazgjedhor atëherë dihet fituesi, koalicioni VV-LDK është fituesi ne do t’i kemi bashkë 70 deputetë. Ata që mbeten që kanë qeverisur do të bëjnë gara për vendin e dytë. Me siguri do të flasin mirë për ne e keq për njëri-tjetrin sepse do të mendojnë se do t’i marrim në qeverisje pas zgjedhjeve”, tha Kurti.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që të shkojë edhe vetëm në zgjedhje, por sipas tij, pritjet për të marrë 61 deputetë nuk janë reale.

Kurti deklaroi se nëse hyjnë në zgjedhje vetëm, pastaj i pret punë jo e lehtë për të gjetur partnerë për të qeverisur, por që kreu i VV-së tha se nuk do të jetë mision i pamundur.