Kurti theksoi se qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë, sa sipas tij, dobësimi i qeverisjes

Kurti theksoi se qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë, sa sipas tij, dobësimi i qeverisjes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot deklaroi se u kuptua që pa rënë qeveria si përbërje, nuk bëhet qeverisja si përmbajtje.

Kurti përmes një postimi në facebook u shpreh se seanca e djeshme e Kuvendit do të mbahet mend gjatë.

“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh. Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.”, shkroi Kurti.

Ai më tutje u shpreh se “qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes” .

“Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë. Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë. Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.”, shkroi më tutje kryeministri në detyrë.

Ai shtoi se do të vazhdojnë si qeveri në detyrë. “Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.”, shtoi më tutje Kurti.

Kujtojmë që, mbrëmë në Kuvend u votua mocioni i mosbesimit, i inicuar nga LDK, me ç’ras u rrëzua qeveria Kurti./21Media