Kurti ka bërë kërkesën për dëmshpërblim

Kurti ka bërë kërkesën për dëmshpërblim

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë ditës së sotme kanë dhënë dëshmitë e tyre para Prokurorisë Themelore të Prishtinës për kallëzimin penal që këta të dy kanë ngritur ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Kallëzimi penal ka të bëjë me deklarimin e rremë nën betim, e që zyrtarët e Vetëvendosjes pretendojnë se Thaçi e Veseli e kanë bërë gjatë dëshmisë së tyre në rastin “Syri i Popullit”.

Pas rreth dy orë të dhënies së dëshmisë së tij, Kurti kërkoi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që kallëzimi penal ndaj Thaçit dhe Veselit të kthehet në aktakuzë.

Kreu i Vetëvendosjes u shpreh optimist se ky proces do të përfundojë  me dënime për Thaçin e Veselin.

Më në fund ne fituam këtë thirrje nga Prokuroria e Shtetit dhe më vjen mirë që sot pata rastin që të përgjigjem në të gjitha pyetjet e prokurores, e cila ka marr këtë kallëzim penal, dhe i cili unë kërkoj të shndërrohet në aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit dhe në këtë mënyrë të mundësohet një proces i drejtë për deklarimet e rreme  nën betim që i kanë dhënë këta të d. Ky proces unë besoj që  duhet të përfundojë me dënimin e këtyre dy të dyshuarve”, tha Kurti.

Ai shprehu habi se si Prokuroria e Shtetit atë kohë nuk ka reaguar fare ndaj presidentit, i cili sipas Kurtit kishte marr rolin e prokurorit duke thënë se do t’i zgjerojë akuzat në drejtim të tij dhe Glauk Konjufcës.

Me 25 prill, edhe një javë bëhen 8 muaj, Glauk Konjufca dhe unë kemi bërë kallëzim penal ndaj presidentit të vendit Hashim Thaçit dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit. Ne kemi bërë këtë kallëzim penal meqenëse ata kanë deklaruar rrejshëm nën betim, duke na akuzuar neve dyve në lidhje me të ashtuquajturën ‘Syri i Popullit’. Pra edhe 10 ditë bëhen një  vit prej se Thaçi dhe Veseli kanë deklaruar që në njërën anë Vetëvendosja është krahu i armatosur i organizatës të ashtuquajturës ‘Syri i Popullit’ dhe në anën tjetër, kanë thënë se jemi ne të dy ata që madje  edhe jemi marr me shkrim të komunikatave të UÇK-së në vitin 1999, mandej kanë akuzuar se kemi inspiruar dhe udhëhequr atë organizatë e kështu me radhë. Është për t’u çuditur se si Prokurori atë botë nuk ka reaguar fare ndaj Presidentit të Kosovës i cili, ka marr detyrën e prokurorit duke thëne se do t’i zgjerojë akuzat edhe n ë drejtim të Glauk Konjufces dhe Albin Kurtit, përveç Sadri Ramabajës edhe të tjerëve”, tha Kurti

Lideri i Vetëvendosjes derisa ka shprehur gatishmërinë e tij që t’i përgjigjet Prokurorisë së Shtetit sa herë të thirret për dëshmi, tha se si i dëmtuar ka bërë kërkesën për dëmshpërblim.

Dëshminë e tij për këtë kallëzim penal Konjufca, i cili tha se Thaçi dhe  Veseli kanë synuar  që ta eliminojnë Vetëvendosjen nga skena politike përmes deklarimeve të rrejshme.

Qëllimi për ne është i qartë, ata synojnë që duke e konsideruar Lëvizjen Vetëvendosje si kundërshtar politik  të bëjnë këso më veshje të veprave të rënda penale përmes deklarimeve të rrejshme ashtu që ta eliminojnë prej skenës politike pra ta diskualifikojnë politikisht Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe mua”, tha Konjufca.

Ai e ka konsideruar lajm të mirë faktin që Prokuroria nuk po pret me vite për t’u marr me rastet që janë në pyetje krerët e shtetit.

Është një lajm i mirë më në fund që Prokuroria po aktivizohet që në Kosovë nuk  mund të presim vite të tëra kur janë në pyetje krerët e lartë të shtetit të cilët me deklaratat e tyre kanë treguar se e konceptojnë vetën si dirigjues të institucioneve të drejtësisë”, tha Konjufca.

Në anën tjetër, Veseli ndaj të cilit është ngritur ky kallëzim penal gjatë ditës së sotme ka deklaruar se nga paaftësia për t’i krijuar institucionet po bëhen improvizime të tilla.

Kreu i PDK-së tha se organizata “Syri i Popullit” ka qenë e vërtetë dhe secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e bëra në të, ndërkohë ka theksuar se ligjërisht do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje.

Edina Jupolli është prokurorja e cila po merret kallëzimin penal e bërë nga Albin Kurti dhe Glauk Konjufca ndaj Thaçit dhe Veselit.

Rasti  “Syri i Popullit”, ende nuk ka marrë epilog në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe pritet që disa prej të akuzuarve, të japin fjalët përfundimtare në seancat e caktuara për 16 e 17 janar të vitit të ardhshëm.