Kurti: Kosova aplikon për statusin e vendit kandidat të BE-së këtë vit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat të BE-së brenda këtij viti.
Këtë Kurti e tha gjatë takimit me deputetin e parlamentit gjerman nga radhët e Partisë Social Demokrate (SPD), Metin Hakverdi me të cilin bisedoi për situatën aktuale politike dhe atë ekonomike si në vend ashtu edhe më gjerë.
Deputeti Hakverdi, anëtar i Bundestagut gjerman që nga viti 2013, shprehu mbështetjen e Gjermanisë për proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Kurti njoftoi deputetin Hakverdi me masat e ndërmarra në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike si përgjigje ndaj inflacionit të importuar dhe në ndihmë të qytetarëve, duke veçuar vendimin e fundit për vendosjen e tavanit të çmimit të naftës.
Në takim u bisedua edhe mbi vizitën e kancelarit Olaf Scholz në Kosovë dhe takimin dypalësh në Zyrën e Kryeministrit, si dhe për perspektivën e Ballkanit Perëndimor për integrim sa më të shpejtë në BE.
Në këtë takim u fol edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet socialdemokratëve./21Media

Back to top button