Kurti: Kosovës i duhet demokraci, drejtësi e zhvillim

Sipas Kurtit paqja, stabiliteti dhe siguria duhet të jenë konsekuenca të shtetit tonë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një prezantim të mbajtur para 120 studentëve nga Austria ka deklaruar se  Kosovës i duhet demokraci, drejtësi dhe zhvillim që të kemi paqe, stabilitet e siguri të qëndrueshëm. Sipas tij, paqja, stabiliteti dhe siguria duhet të jenë konsekuenca të shtetit tonë të drejtë e demokratik, zhvillimor e social.

“Unë iu shpjegova se vizioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të ardhmen e Kosovës bazohet në shtyllat mbi të cilat u ngrit edhe Bashkimi Evropian: ndërtimi i institucioneve dhe paqes përmes antifashizmit, i shtetit zhvillimor dhe drejtësisë sociale, si dhe NATO-ja si aleancë për siguri”, është shprehur Kurti në Facebook.

Kurti studentëve ka thënë se me Fondin Sovran e Bankën Zhvillimore, me luftimin e krimit e të korrupsionit, me ndërlidhjen e arsimit me ekonominë, ‘qeverisja e ardhshme nga Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta nxjerrë Kosovën nga kriza dhe do ta mundësojë e realizojë përparimin e gjithmbarshëm’.

“Pas prezantimit, bashkë me studentët diskutuam për shumë çështje, veçanërisht per konceptin e ‘vetëvendosjes’ dhe kuptimin e posaçëm progresist që merr në kontekstin e vendit tonë, në atë të rezistencës kundër shtypjes, mospranimit të shfrytëzimit dhe çlirimit nga kolonializmi”, ka shkruar Kurti në facebook.

Sipas tij, Vetëvendosja është demokratike, e cila siç ka theksuar vjen prej poshtë e lind nga populli dhe shpreh vullnetin e tij për barazi e liri, për drejtësi dhe zhvillim. /21Media 

Back to top button